I kërkoi Tiranës të bëjë tamponin, FSHF rebelohet kundër Shëndetësisë: Jeni burokratë të 'paditur' që doni të lini shqiptarët pa futboll

6 Qershor 2020, 11:32

Futbolli shqiptar rinisi pas periudhës së gjatë të pauzës së shkaktuar nga COVID-i, ndërsa bashkë me të edhe polemikat e forta dhe përplasja me ministrinë e Shëndetësisë. Debati ka nisur pas letrës së Ministrisë së Shëndetësisë që i kërkon ekipit të futbollit të Tiranës që të bëjë testin para ndeshjes së radhës për shkak se para pak ditësh luajtën përballë Bylisit, që kishte një lojtar të prekur me COVID. Por FSHF-ja deklaron se para ndeshjes me Bylisin, të gjithë ekipit të Ballshit iu bë testi. Të gjithë kanë dalë negativë. Kaq mjafton sipas FSHF-së.  Drejtoria e Higjienës në Ballsh kërkoi që ndeshja të mos zhvillohet, FSHF-ja e refuzoi, ndërsa tashmë, pas kërkesës së ministrisë së Shëndetësisë për ekipin e Tiranës që të bëjë tamponin para sfidës së radhës vjen reagimi akoma më i ashpër nga qeveria e futbollit shqiptar.