I mbuluar me gjak/ Pamjet brenda burgut të Greqisë, si u masakra shqiptari me thikë

31 Mars 2019, 10:27 | Përditesimi i fundit: 2019-03-31 11:32:03

Në burgjet greke në muajt e fundit kanë ndodhur shumë përleshje mes shqiptarëve, grekëve, afrikanëve, por edhe të dënuarve nga vende të tjera, ndërsa bilancet kanë qenë të rënda. Përleshja e fundit ndodhi mbrëmë në burgun e Koridhallos në Greqi, ku u plagos një shqiptar 30-vjeç, identiteti i të cilit ende nuk dihet.

Mediat fqinje i kanë kushtuar një dokumentar asaj që po ndodh në burgjet greke duke publikuar edhe pamjet nga një përleshje në 14 janar të këtij viti. Në video duket momenti kur goditet me grushte dhe thikë nga disa të dënuar brenda burgut një  person, që sipas mediave greke është shqiptar, i cili i mbuluar me gjak vrapon për të shpëtuar.

 

E ndërsa nuk duket asnjë ndërhyrje e gardianëve, pas goditjeve në stomak, në pamjet duket momenti kur transportohet në spital i mbuluar me gjak. Në këtë datë në burgun e Koridhallos në Greqi ka humbur jetën gjatë një përleshje shqiptari Albert Bako, por grekët në videon e publikuar nuk saktësojnë nëse bëhet fjalë për të njëjtën ngjarje, pasi nuk jepet emri i shqiptarit që u sulmua dhe cfarë ndodhi më pas.

Në dokumentar theksohet se nga kaosi në burgjet greke në 10 muajt e fundit janë shënuar 26 viktima nga përleshjet, ku mes tyre ka pasur edhe disa shqiptarë. Dokumentari akuzon qeverinë se po përpiqet që të mbulojë atë që ndodh në burgje.