TIRANE- Gjyqtari Lazër Sallaku i cili vendosi pak ditë më parë mbylljen e çështjes së lobimit rus për PD si dhe lirimin për 6 të dyshuarit e dosjes “Toyota Yaris”, pas një hetimi 3-vjeçar ka vendosur sot pushimin për dosjen 'CEZ' në Gjykatën e Tiranës, ku është i përfshirë edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Hetimet për procedurën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes nga kompania çeke 'CEZ' në vitin 2007, e cila u konsiderua korruptive, nisën në vitin 2016, duke dërguar përpara organit të akuzës një numër të lartë zyrtarësh të cilë u morën në pyetje, përfshirë edhe Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Berisha. Kjo solli edhe ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar i drejtuar nga Taulant Balla, i cili në finale të tij arriti në konkluzionin se nga procedura e privatizimit të shtetit i ishte shkaktuar një dëm prej 414 milionë eurosh.