I përfundoi mandati, Ademi sqaron pozicionin e saj në Bashki: Me këshillin marrëdhëniet janë institucionale

12 Nëntor 2019, 19:51

SHKODËR-Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, e vetmja përfaqësuese e Partisë Demokratike në 61 Bashkitë e vendit, ka deklaruar se zgjedhjet e 30 qershorit po faktohen se kanë qenë zgjedhje ilegjitime. Ndërsa ka sqaruar edhe pozicionin e saj në Bashkinë e Shkodrës pas përfundimit të mandatit 4 vjeçar.

"Procesi i 30 qeshorit është një process që tashmë është shpërfaqur ilegjitim. Me këtë dua të them se përfaqësimi i vetëm 6 % të zgjedhësve nëse mund të quhet I tillë nuk është I mjaftueshëm, për përfaqësimin në një organ vendim marrës lokal sikurse është këshilli bashkiak për të gjithë qytetarët e Shkodrës. Me këtë dua të them se kam dhënë shpjegimin dhe e ritheksoj, përfaqësimi I 6 % nuk është përfaqësim I qytetarëve të Shkodrës. Shkodra meriton të ketë zgjedhje. Kryetarës së Bashkisë së Shkodrës në bazë të Kushtetutes I ka mbaruar mandate. Ushtron funksionin e kryetarës së Bashkisë së Shkodrës, për shkak të ligjit për vetë qeverisjen vendore, deri në momentin që ne të kemi zgjedhje, dhe duhet të kemi sa më parë për t’iu dhënë mundësinë qytetarëve që të zgjedhin kryetaren apo kryetarin e Bashkisë, dhe, ky ushtrim I funksionit mbaron atë ditë dhe I përcillet mandatit tjetër me njëherë sapo kjo të sigurohet nga zgjedhjet", tha Ademi.