Aleksandër Biberaj, i rikthyer në Partinë Demokratike pas rreth 10 vitesh si anëtar i Këshillit Kombëtar, i ftuar në emisionin "45 minuta" në Report Tv, deklaroi se protesta e 16 shkurtit do tentojë ndryshimin e qeverisë.
Qëllimi i protestës është t'i bëjmë person qeverisë. Do shohim mundësinë për të ndryshuar qeverinë. DO bëjmë presionin tonë për të ndryshuar qeverinë. Gjithçka do të shihet në vend nga protesta. Do bëjmë përpjekje maksimale për një pjesëmarrje maksimale në këtë protestë. Do kemi parasysh që Shqipëria nuk është si në 1990 kur dilnin në gjithë. Janë bërë indiferentë, shumë janë larguar jashtë vendit. Por besoj se do jetë një protestë e madhe.
Aleksandër Biberaj, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD
"Qeveria kalimtare të jetë sërish e PS, por pa Ramën kryeministër"
Ish-deputeti i PD tha se ajo që kërkon opozita është që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen pa Ramën kryeministër. Qeveria kalimtare, siç e quan opozita, shtoi Biberaj, mund të jetë e PS-së, por pa Ramën dhe ministrat aktualë. "Ne kërkojmë që zgjedhjet e ardhshme të bëhen pa Ramën kryeministër. Të shkohet në zgjedhje me një qeveri të pranuar edhe nga opozita. Nuk kërkojmë qeveri teknike, apo të përbashkët. Mund të jetë e maxhorancës, por me persona dhe individë të besueshëm. Të jetë me kryeministër dhe ministra të tjerë. Në 17 maj u krijua një qeverisje disi e përbashkët për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por zgjedhjet u manipuluan dhe nuk pasqyruan realitetin në Shqipëri", tha ai.
I pyetur për bashkëpunimin e PD me LSI, Biberaj tha se i ka bashkuar opozita përsa kohë janë të pakënaqur nga qeveria.
Por a ka një marrëveshje të fshehtë Rama-Basha? Biberaj nuk e beson një tezë të tillë. "Patjetër janë thashetheme. Pozicionet janë diametralisht të kundërta. Nuk besoj se ka një marrëveshje të tillë", tha ai.
