Adelina Trimi e ëma e Mikel Osmanit i cili u rrah për vdekje mesnatën e 29 Gushtit të 2016-s në një lokal tallavaje në Korçë ka reaguar pas arrestimit të autorit të tretë Angel Miçani.
Ajo thotë se e dinte që Miçani ishte i përfshirë dhe se kishte kërkuar prej 5 vitesh që të arrestohej. Sipas saj Angel Miçani e ka goditur me makinë djalin e saj më pas me leva.
“Djalin e masakruan, e kanë goditur me leva dhe dru, kishte shenja në të gjithë trupin, në kokë ishte goditur me levë dhe djali kishte vdekur në vend jo në spital. Unë e dija që i përfshirë ishte Angel Miçani sepse ai e goditi me makinë dhe më pas me leva duke i thyer edhe brinjët.
Kam 5 vjet që kam kërkuar të vihet para përgjegjësisë Angeli sepse në CD që paraqisja në gjykatë dukej që ai ishte bashkëpunëtor.
Më në fund drejtësia u vendos, falë mediave që e kanë trajtuar këtë ngjarje të rëndë që i ndodhi djalit tim. Kërkoj dënim maksimal për të tre autorët sepse më morën dritën e syve, unë vetëm atë djalë kisha, dhe tani jam e vetme”, tha ajo.