I shëruari me COVID-19 apel në Report TV: Nuk tregon që po të vjen....Ne duhet të ruhemi nga ai

26 Mars 2020, 11:44

TIRANË - Një apel që duhet dëgjuar nga të gjithë të rinjtë përcjell, Erind Cara, një nga të shëruarit nga koronavirusi në Shqipëri. Prej dy ditësh tashmë ai ka lënë spitalin Infektiv në QSUT ku mori trajtim mjekësor, ndërsa në një komunikim me Skype për Report Tv, nga shtëpia e tij ku duhet të qëndrojë edhe të paktën 2 javë i izoluar, Erindi bën apel për të mos dalë, pasi COVID-19, është një virus që nuk tregon se po të vjen, dhe është vetëm në dorën tonë të ruhemi.

Ai tregon për Report Tv për 10 ditët që kaloi në Spitalin Infektiv bashkë me të tjerë që edhe pse luftuan deri në frymën e fundit, nuk arritën t'ia dalin.  Erindin e ka ndihmuar aktiviteti sportiv që ndër vite ka pasur, dhe ndoshta edhe mosha e re. Megjithatë ai thotë se koronavirusi nuk pyet më se kë prek, duke rrëzuar mitin se preken vetëm mosha e tretë. E gjithë përpjekja jonë duhet bërë përpara se të shkojmë në spital - thotë Erind Cara - sepse atje asgjë nuk është më në dorën tonë.Shërbimi ishte shumë i mirë ishin në gatishmëri për çdo gjë sa i përket mjekëve dhe infermierëve, i trajtuar me medikamente. Faktikisht nuk është se kam pasur një kulm apo një problematikë që kam menduar se kjo është maja. Vështirësitë më të mëdha i kalova në shtëpi, djersë dhe temperaturë që më ngacmuan dhe më ndoqën për 7 ditë. Nga përjetimi im personal, ishte mbase pas një ftohje që kalova që më solli më pas temperaturë dhe djersë. Duke qenë se u ul edhe imuniteti nga ndonjë kontakt që mund të kem marrë më vonë, mund të ketë qenë edhe pjesa e koronavirusit. Kur je atje nuk është se je i kthjellët, nuk e kupton as vet pse ndodhesh aty. Ke qenë shumë mirë e në një moment të caktuar ndodhesh me oksigjen. Edhe rastet atje kane qenë ndryshe. Mbase dhe nga mosha dhe jeta sportive nuk kisha simptoma. Shumë pacientë ishin moshë e tretë dhe kishin simptoma dhe patologji shoqëruese. Duhet të kemi parasysh vetëm dy gjëra. Kur shkojmë në spital asgjë nuk varet më nga ne, thjesht kërkon shërbimin që duhet bërë. Por kur jemi akoma në kohë, të jemi në shtëpi me njerëzit tanë të dashur, të qëndrojmë mbyllur dhe të kemi sa më pak kontakte, është e vetmja mënyrë që ky virus të shpërndahet sa më pak. Gjëja më e rëndësishme është të qëndrojmë në shtëpi, mos të bëhemi rrezik për veten dhe të tjerët. Se kur dalim mund ta marrim ne nga një person që nuk ka asnjë simptomë. Është një virus që nuk e ka të shkruar në asnjë vend, nuk tregon që po vjen, dhe duhet të ruhemi ne nga ai. Nuk pyet nëse je i ri, i vjetër. Pavarësisht se mosha e tretë ka problemet më të dukshme. Gjendja ime është shumë e mirë, nuk kam pasur asnjë shqetësim. Jam negativ nuk kam asnjë problematikë sa i përket virusit. Gjëja me e mirë është që edhe familjarët e mi janë të shëndetshëm, dhe nesër mbarojnë edhe 14 ditëshin në vetëkarantinim dhe janë të lirë", tha Erind Cara për Report Tv.