I shëruari që 'bashkëjetoi' 18 ditë me virusin! Bylykbashi: Dua të dhuroj plazmën për të prekurit

19 Prill 2020, 13:49

Petrit Bylykbashi "bashkëjetoi" 18 ditë me Covid-19. Nuk kishte të gjitha simptomat e sëmundjes, por vetëm temperaturën e lartë, e cila siç tha ai, e bëri të kuptonte direkt se edhe ai do i shtohej bilancit të të prekurve në Kosovë. Gjatë një komunikimi për Report Tv nga Kosova me gazetarin Besard Jacaj, i riu që mposhti virusin, tha se pas dy testesh ka rezultuar negativ dhe tani është mirë me shëndet. Ai deklaroi më tej se nesër do u bashkohet qendrës së vullnetarëve më Kosovë, ndërsa kujdesin nuk e heq asnjëherë nga mendja, sepse kjo sëmundje është e pabesë.

Petriti, ndoshta jo si të gjithë të shëruarit e tjerë, ka vendosur të dhurojë plazmën e gjakut të tij për ata persona të cilët janë prekur dhe kanë nevoje për antitrupa të fortë, që thuhet se i ka pikërisht gjaku i të shëruarve.