I vihet tritol makinës së prokurorit Arjan Muça, ka në dorë dosjet e Vettingut!

11 Mars 2021, 23:23

Mbrëmjen e sotme i është vënë tritol makinës së prokurorit Arjan Muça, te Komuna e Parisit në Tiranë! Shpërthimi me tritol në makinën Mercedez A Class në pronësi të prokurorit, ka ndodhur kur mjeti ka qenë i parkuar në parkimin e qendrës tregtare Kristal. Duke nisur nga sasia e vogël e lëndës plasëse të vënë në makinë, dyshohet se shpërthimi ka qenë një mesazh kërcënues për prokurorin ose për bashkëshorten e tij gjyqtare Gentiana Muça, duke qenë se makina përdorej dhe nga kjo e fundit.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi ndërsa dha detaje për këtë ngjarja deklaroi se nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar. Makina e prokurorit ka shpërthyer në pjesën e përparme të saj dhe në ato momente nuk ka pasur njeri aty pranë. Deri më tani nuk dihen autorët, por janë sekuestruar kamerat e sigurisë për të zbardhur ngjarjen. Makina e prokurorit parkohej në këtë qendër tregtare çdo natë prej një periudhe 2 vjeçare.

Arjan Muça është prokurori i çështjes së “Gërdecit” e konsideruar si dosja më e bujshme për vetë faktin se pati një bilanc të tmerrshëm në viktima dhe dëme materiale. Vite më parë, Muça ka qenë oficer gjyqësor në ish Gjykatën e Krimeve të Rëndë në Tiranë, më pas kaloi në prokuror në Lezhë, në Gjirokastër dhe në disa qarqe të tjera. Aktualisht Muça është një prej  6 prokurorëve te komanduar pranë KLP në Tiranë. Pozicioni që mban momentalisht si inspektor në KLP, ka të bëjë me sektorin e hartimit të dosjeve e raporteve për gjyqtarët dhe prokurorët që kalojnë në Vettingun.

Nuk dihet kush ka qenë objektivi i këtij shpërthimi, prokurori Arjan Muça apo gruaja e tij, Gentiana Muça, e cila është gjyqtare, pasi makina përdorej nga të dy. Nisur nga ky fakt hetimi lidhur me vënien e tritoli është përqendruar si te prokurori ashtu edhe te bashkëshortja e tij gjyqtare. Më parë Gentjana Muça ka qenë gjyqtare te gjykata administrative e Gjirokastrës ndërsa tani është te gjykata e Apelit në Tiranë.