I zhdukur prej 7 vitesh, dëshmia tronditëse nga Austria për të humburin Mateo Bejaj

19 Tetor 2018, 19:25 | Përditesimi: 19 Tetor 2018, 19:25

Emisioni ‘’Pa Gjurmë” në Report Tv trajtoi rastin e humbjes së Mateo Bejajt 7 vite më parë në Vlorë. Ai ishte 14 vjec kur u rrëmbye, sot është 21, ndërsa prindërit akuzojnë hallën për ngjarjen.

Ndërkohë që pas publikimit të fotos në emisionin ’Pa Gjurmë’ një dëshmitare nga Austria dha informacione që mund të dërgojnë në gjurmët e të riut.

Ajo u shpreh se ka parë vitin e kaluar një person të ngjashëm me Bejajn, i cili ishte arrestuar për vjedhje, por më pas ishte liruar pasi kishte probleme mendore.

Unë kam më shumë se 20 vite që jetoj në Austri dhe punoj si përkthyese. Në 2017 takova një person që thoshte se quhej Ilir Sorra, por e ndërronte në Ilir Arbana. Kishte qëndruar në Hanover, kishte vjedhur një makinë, më pas kishte ardhur në Austri, në një hotel vodhi disa rroba, ndërkohë që ndiqej nga policia dhe u arrestua.

Kur pashë foton pjesa e syve ishte e ngjashme. Ai nuk dinte emrat e prindërve, dinte se ishte nga Vlora, ishte i sëmurë, vuante nga skizofrenia, ishte i dhunshëm, mendohet se kishte kaluar një traumë të madhe. E vërtetova se ishte nga Vlora, ndërsa më duket i ngjashëm në pjesën e syve me Mateo Bejajn.

Ai nëse shikonte policë në rrugë u sulej edhe pa shkak fare. Duke qenë se ishte i dhunshëm në burg e çuan në psikiatri në afërsi të Vjenës. Më pas është lënë i lirë, pasi është shpallur i papërgjegjshëm. Ka qenë në dimër vjet kur është lënë i lirë.

Dëshmia nga Austria

Emisioni ‘’Pa Gjurmë” në Report Tv do të vijojë që të ndjekë rastin e 21-vjeçarit Mateo Bejaj.

b.ha./Shqiptarja.com