Taulant Muka u shpreh për gazetarin Andi Kapexhiun se arsyeja primare që ai ndërmori postin që gëzon tani, është pikërisht dëshira që ka për të sjellë një arsim më cilësor në vend.
“Erdha në këtë pozicion pas një karriere të konsoliduar. Kam qenë opozitar sa i takon kërkesave për të pasur një arsim më cilësor. Dy javë më parë kam qenë në një takim me kryeministrin Edi Rama si dhe me akademikë me vlerë, e aty kam propozuar për të rishikuar titujt akademikë në vend”, tha Muka, duke shtuar se pjesëmarrja e tij në sferën akademike ka ardhur edhe si rrjedhojë e ftesës që ka marrë nga kryeministri Edi Rama.
I pyetur për denoncimin e bërë së fundi përkundrejt Ervin Demos, gjë e cila pasoi me emërimin e tij si zëvendësi i tij në postin e zv/Ministrit të Arsimit dhe Sportit, Muka u shpreh: “Denoncimi nuk e kam lidhur me një emër, por me fenomenin”. Sa i takon ditës së tij të parë në punë si zv/ ministër, Muka tha se e ka nisur me një takim me stafin e Ministrisë së Arsimit, nga ku është larguar më pas me gjithë legjislaturën e arsimit. “Kam vite që jetoj jashtë vendit, më duhet pak kohë për t’u njohur me mënyrën sesi funksionon Ministria e Arsimit, e për këtë arsye kam marrë përsipër të studioj legjislaturën e saj”, u shpreh ai.
Duke u fokusuar në denoncimin e sipërpermendur dhe komentet me të cilat është përballur, Muka u shpreh: “ E njoh realitetin shqiptar dhe nuk jam i lumtur që shoqëria më njeh për rastin e paraqitur. Unë jam shkencëtar, isha në Kopehagen me një rrogë shumë të mirë, merrja 9.000 euro në muaj, dhe do të zhvillohesha profesionalisht në Zvicër. Unë karrierën time e kam krijuar përpara së të merrja postin zëvendës Ministër i Arsimit dhe Sportit. Qëllimi im, duke marrë shtysë edhe nga profesioni im si shkencëtar, është të zhvillohet shkenca, pasi sikurse dihet zhvillimi ekonomik është i lidhur ngushtë me shkencën.”
Duke u ndalur tek fenomeni i plagjiaturës, Muka tha se kjo gjë mund të luftohet vetëm duke vlerësuar dhe mbledhur sëbashku mendjet e ndritura. “Faktikisht nuk kam statistika sesa i zhvilluar mund të jetë konkretisht fenomeni i plagjiaturës, prandaj kam ngritur shqetësimin që duhet ngritur një grup pune. Ideja është se janë disa modele në Kosovë dhe Maqedoni që duhen zhvilluar edhe gjuhën tonë, por duhet të hapet patjetër një debat publik, në funksion të projektimit 10-20 vjeçar të universitetit. Pra kërkohet vendosja e një software në gjuhën shqipe, por do rishikohet në të ardhmen nëse doktoraturat do të bëhen në gjuhën angleze pasi duhet ta pranojmë, shkenca flet në gjuhën angleze dhe nëse duam të jemi konkurrentë global duhet ta pranojmë atë".
Duke sjellë një paralelizëm me situatën në Kosovë, Muka u shpreh se organizata e saj e shoqërisë civile ka bërë një punë të mrekullueshme. “ Një ditë përpara se të emerërohesha si zv/ ministër i Arsimit, isha i ftuar në Kosovë nga “ORKA” dhe kryetari i saj Roni më tha se kanë arritur të bëjnë së bashku të gjitha palët politike për këtë çështje dhe tashmë vetëm Universiteti Publik i Prishtinës ka të drejtë të lëshojë doktoratura në vend”, tregoi ai, duke shtuar se nevojitet një koordinim me Kosovën dhe trevat shqipfolëse, në mënyrë që t’i ofrohet studentëve shqiptarë një arsim me cilësi të lartë. Muka theksoi se mekanizmat e posaçme që do të merren për të luftuar “babëzinë” e plagjiaturës nuk do të kenë të bëjnë me universitetin privat apo atë publik, por me cilësinë e arsimit.
Ai rrëfeu për gazetarin Andi Kapexhiu se përpara se të merrte postin drejtues, kryeministri Edi Rama i ka kërkuar t’i bëjë të ditur qëndrimin e tij rreth periudhës kohore që mund të marrë ushtrimi i impaktit të Reformës së Arsimit. “Në kontratën time verbale me kryeministrin Edi Rama, unë jam shprehur se impakti do të ndihet 6 deri në 9 muaj dhe në bazë të kontributit që unë do të jap në arsim do të rishikohet edhe pozicioni që kam.”
Në përfundim të intervistës, Muka shprehu angazhimin e tij në krijimin e një komunikimi frytdhënës midis Ministrisë së Arsimit, opinionit publik dhe mediave.