Ibrahimi: Në tetor, rendisim kandidatët për Prokurorin e Përgjithshëm

24 Shtator 2019, 18:17

Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi po raporton para Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Reformës në Drejtësi. 

Ibrahimi ka bërë me dije se nesër do të mbahet mbledhja e KLP-së, cila do të zyrtarizojë kandidatët për prokuror të Përgjithshëm.

Pas zyrtarizmit, sipas Ibrahimit në tetor do të bëhet renditja e listës, dhe më pas do t’i dërgohet Kuvendit për të zgjedhur Prokurorin e ri të Përgjithshëm. 

“Nesër këshilli mblidhet për t’i dhënë fund çështjes së përzgjedhjes së kandidateve për Prokurorin e Përgjithshme. Për kandidatët magjistratë ka një procedurë shtesë, një provës e vogël për të arritur ne konkluzionin përfundimtar për kandidatët. Renditja e kandidateve do te behet brenda muajit tetor”, -theksoi Ibrahimi.

Ibrahimi është pyetur edhe për çështjen e Bujar Sheshit, anëtar i KLP-së, ku Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e kishte akuzuar se ka qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit të Shtetit.

 Në përgjigje të kësaj pyetje, Ibrahimi është shprehur se autoriteti i dosjeve duhet ishte përgjigjur brenda 7 ditëve për kërkesën për të bërë verifikimet për kandidatët për Këshillin e Emërimeve  të Drejtësisë.

“Gjykata administrative me vendim të datës 12 prill ka vendosur të pranojë kërkesën e padisë të z. Sheshi. Prokuroria pas hetimeve ka pasur disa bazime, arriti në përfundimin se Sheshi nuk ka qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit të Shtetit”,-është shprehur Ibrahimi.

Kreu i KLP-së është përgjigjur pyetjes së kush e ka për kompetencë për të hetuar anëtarët e këtij institucioni, duke u shprehur se këtë kompetencë e Prokuroria e Posaçme(SPAK).