Ikën Çomo, COVID 1 do të drejtohet nga një i komanduar, shefi i ri zgjidhet pas 25 prillit!

8 Mars 2021, 16:55

Profesoreshë Najada Çomo tashmë është nën ethet elektorale të 25 prillit, pasi vendosi të lë bluzën e bardhë për të kandiduar si deputete në listën e Partisë Socialiste.

Por deri në zgjedhjen e shefit të ri të Shërbimit Infektiv, spital i shndërruar në COVID, gruaja që e udhëhoqi këtë Shërbim për 2 vjet e gjysmë, duke ndërprerë mandatin 5-vjeçar do të vijojë të qëndrojë në detyrë deri sa të fitojë karrigen e deputetes.

Ka një vendim të Këshillit të ministrave që zbatohet në këto raste pasi mandati i shefave të shërbimit është 5 vjeçar. Najada dhe përgjithësisht shefat e shërbimit në QSUT kanë 2 vite e gjysmë që janë përzgjedhur, kështu që në këto raste veprohet me proces komandimi. Drejtoria e QSUT  i propozon rektoratit një nga emrat që ata mendojnë për ta zgjedhur shef shërbimi, rektorati jep pëlqimin teorikisht dhe pastaj këto emra i shkojnë për konfirmim ministres së Shëndetësisë dhe ministres së Arsimit”-u shpreh Arben Gjata.

Drejtuesi i komanduar që do të përzgjidhet duhet të plotësojë disa kritere, mbi të gjitha t’i bëjë ballë pandemisë.