Inaugurohet urgjenca e re e infektivit në QSUT/ Manastirliu: Standarde të reja shërbimi

13 Shkurt 2019, 13:54 | Përditesimi i fundit: 2019-02-13 16:37:18

Hap dyert urgjenca e re e shërbimit infektiv, me kushte të përmirësuara dhe me një standard të ri shërbimi për qytetarët.

"Me këtë investim, dyfishohen kapacitetet pritëse të urgjencës së infektivit me standarde bashkëkohore, duke garantuar një përgjigje më të mirë në kohë por edhe me cilësi, në rastet e urgjencave infektive dhe duke siguruar kushte më të mira pune për stafin mjekësor”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inagurimit të urgjencës së këtij spitali.

Me investimin e kryer, janë krijuar edhe 2 bokse izolimi për sëmundjet ngjitëse, shumë të rëndësishme, sidomos në këtë periudhë të vitit, me fluks të shtuar pacientësh.

“Ky nuk është vetëm një investim në infrastrukturë por siguron edhe ekzaminimin dhe trajtimin e plotë të pacientëve brenda kësaj strukture”.

Duke theksuar mbështetjen për mjekët, Manastirliu u shpreh  se në urgjenca do të vendoset një regjim I ri dhe bëri këtë apel për qytetarët.