Inaugurohet 'shtëpia' e re e RENEA-s në Yzberisht! Rama paralajmëron sulmin kundër KÇK

13 Janar 2020, 13:34

TIRANE- 107-vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit ka përkuar sot me përurimin e godinës së re bashkëkohore të RENEA-s, të zhvendosur tashmë nga reparti pranë Thesarit të Shtetit, në Yzbersiht. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesësn kryeministri Edi Rama, kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Kreu i qeverisë ka shënjestruar sërish gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që shërbejnë në pallatin e Drejtësisë. Rama tha se paketa anti-KÇK po konsultohet me BE dhe SHBA dhe do të vihet në jetë në ditët e ardhshme. Ai tha se ka ardhur koha që personat e korruptuar duhet të provojnë pasurinë e tyre ose ta dorëzojnë atë.Një investim i përbashkët Shqipëri-BE nga sot do të jetë shtëpia e re e efektivëve të repartit ushtarak RENEA, ku 7.6 milion euro janë marrë nga buxheti dhe 2.4 milion janë dhuruar nga BE. Ambasadori i BE Luigi Soreca deklaroi se në dy vitet e ardhshme organizata që ai përfaqëson do japë 19 milion euro të tjera për të përmirësuar rendin dhe sigurinë si në Shqipëri, dhe në Europë. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha se Policia e Shtetit është institucioni më i rëndësishëm për publikun, ndërsa shtoi se qeveria shqiptare po punon në dy drejtime, atë të fuqizimit të kapaciteve dhe modernizimit të Policisë. Ndërsa kryepolici Ardi Veliu tha se prioriteti i policisë për vitin 2020 është lufta kundër krimit.

Krahas ambienteve të reja dhe moderne, reparti i ri përfshin rinovimin dhe kompletimin me pajisje mbrojtëse, të komunikimit, armatimit, pajisje speciale, mjete lëvizëse rrugore, pajisjeve të ndihmës së shpejtë dhe uniformave bashkëkohore të punonjësve të Forcës Speciale RENEA. Pjesë e kësaj ceremonie u bë edhe një demostrim nga forcat RENEA, për neutralizimin e një personi të rrezikshëm.

    No videos found.