'Informatori' i policisë fliste në telefon me gruan kur u qëllua me 7 plumba. Vjehrri: Kishte konflikte me pronat

7 Shtator 2018, 15:51

Detaje të reja janë zbuluar mbi vrasjen e të dyshuarit si informator i Policisë, dje në fshatin Rabije të Memaliajt, Alket Muho. Muho u ekzekutua mesditën e djeshme në tokën e shtëpisë së tij. Burime për Report Tv, bëjnë me dije se për vrasjen e Muhos janë shoqëruar  deri më tani 7 persona në polici.  Dyshimet më të forta lidhen me faktin që ai mund të jetë vrarë pasi informoi policinë në lidhje me parcelat e drogës në Tepelenë dhe dikush e konspiroi, por nuk përjashtohet as mundësia e vrasjes për shkak të një konflikti pronësie, të rrëfyer nga vjehrri i tij.

Ditën e djeshme, viktima ka qenë duke komunikuar në telefon me bashkëshorten e tij. Gruaja ka thënë se polici se fjalët e fundit që ka dëgjuar nga bashkëshorti kanë qenë:”Çfarë bëni kështu more çuna?”. Më pas, është dëgjuar një breshëri automatiku, dhe telefonata është ndërprerë. Pas kësaj, gruaja e 43-vjeçarit ka vrapuar për tek toka ku Muho po punonte dhe e ka gjetur atë të pajetë.

Gjithashtu, mësohet se viktima është qëlluar me 7 plumba, në anën e majtë të trupit, në pjesën e pasme. Prokuroria ka konfirmuar se Muho është qëlluar me një automatik model 56, nga një distancë e afërt. Në vendngjarje janë zhdukur gëzhojat, pasi nuk është gjetur asnjë e tillë. Grupi hetimor ka dyshime se armës automatike i është vendosur një rrobë për të mos lenë gëzhoja në vendin e krimit.

Një grup i posaçëm hetimor është ngritur për të zbardhur të vërtetën e kësaj vrasje dhe kush e dekonspiroi të dyshuarin si informator të policisë dhe e ekspozoi para trafikantëve. Të parët që po hetohen janë punonjësit e policisë së Memaliajt por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë pikasur edhe nga banorët e zonës. Vetëm një ditë para vrasjes në atë zonë, pranë fshatit Gllavë, Policia ka sekuestruar disa paracela me kanabis ndërsa ka vënë nën hetim dy persona. 

Sipas njoftimit zyrtar të policisë më datë 6 shtator u referuan materialet në prokurori për shtetasit me iniciale K.C 59 vjeç dhe A.K. 33 vjeç, banues në fshatin Gllavë, për veprën penale të kultivimit të kanabisit. Mister mbetet edhe fakti se përse ndaj këtëyre dy shtetasve hetimet do të kryen në gjendje të lirë dhe jo nën masë arresti, duke qenë se vepra penale për ta është kultivimi i kanabisit.

Ora 12:09
Vrasja e Alket Muhos, flasin babai dhe vjehrri: Shteti të zbardhë ngjarjen, e dimë kush e vrau (VIDEO) 

Një ditë pas vrasjes së 43-vjeçarit, Alket Muho në Rabije të Memaliaj, babai dhe vjehrri i viktimës kanë folur për Report Tv.

Gjolek Muho, babai i Alket Muhos, ka thënë se nuk e ka dijeninë përse është vrarë i biri. Ai ka thënë se Muho është vrarë me dy armë zjarri, një automatik dhe një çifte.

Shteti shqiptar të nxjerrë vrasjen makabre të Alket Muhos në Rabije. Gjolek Muho, babai i Alketit. Ai u vra nga dy armë. Edhe çifte edhe automatikë. Them unë se kanë vajtur ia kanë vënë tek koka armën. Konflikt ne nuk dimë. Konflikt kaq të hapur. Ta nxjerrin, nëse ka do dalë. Është folur në media se policia e ka dekonspiruar. Unë nuk e di, s’kam dyshime të tilla sepse mund të jetë vrarë.

Gjolek Muho, babai i viktimës