INSTAT: Investimet u rritën 2.8%, 107.000 subjekte angazhuan 4.6% më shumë punonjës

11 Nëntor 2019, 15:12

Në vitin 2018, ndërmarrjet që operojnë në aktivitetet e prodhimit të të mirave dhe shërbimeve realizuan 2 trilion e 179 miliardë lekë shitje neto, duke shënuar një rritje me 7%, krahasuar me vitin 2017, raportoi sot Instituti i Statistikave. Sipas studimit të INSTAT, investimet e realizuara arritën vlerën 238 miliardë lekë nga 232 miliardë lekë në 2017, duke shënuar një rritje prej 2,8 %. Në vitin 2018, operuan 107.450 ndërmarrje aktive, duke u ulur me 0,2 %, krahasuar me vitin 2017, ndërsa numri gjithsej i të punësuarve u rrit me 4,6 %.

Bazuar në rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, kontributin më të madh në rritjen prej 7% të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e shërbimeve me +4,1 pikë përqindje, të ndjekur nga prodhuesit e të mirave me +2,9 pikë përqindje. Gjatë vitit 2018, sektori i tregtisë zë peshën më të lartë të shitjeve neto me 45,3 %, i ndjekur nga sektori i ndërtimit me 11,7 %. Sektorët me peshën më të vogël janë sektori i akomodimit dhe restoranteve (2,8 %) dhe sektori i industrisë nxjerrëse (3,6 %).

Punësimi

Situatë e ngjashme paraqitet për treguesin e punësimit. Në rritjen prej 4,6 % të punësimit, prodhuesit e shërbimeve dhanë kontributin më të madh me +3,1 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kontribuan me +1,5 pikë përqindje. Sektorët me peshën më të lartë të punësimit për vitin 2018 janë sektori i tregtisë me 24,3 % të punësimit, sektori i shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj.) me 21,6 %, të ndjekura nga sektori i industrisë përpunuese me 20,6 % të të punësuarve gjithsej.

Investimet

Gjatë vitit 2018, investimet e realizuara u rritën me 2,8 %, ku prodhuesit e shërbimeve kontribuan pozitivisht me 8,0 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kontribuan negativisht me 5,2 pikë përqindje. Prodhuesit e shërbimeve zunë 37,9 % të investimeve, nga 30,7 % që zinin vitin e kaluar. Sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është ai i energjisë elektrike dhe ujit, i cili për vitin 2018 ka investuar 54 miliardë lekë, duke zënë 22,9 % të investimeve gjithsej. Peshën më të vogël të investimeve e zënë sektorët e akomodim dhe restorante (3,1 %) dhe transport dhe komunikacion (6,4 %).

Numri

Numri i ndërmarrjeve aktive për vitin 2018 u ul me 0,2 %. Në uljen e numrit të ndërmarrjeve aktive, prodhuesit e shërbimeve dhe të mirave kontribuan negativisht me nga 0,1 pikë përqindje. Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve është ai i tregtisë (41,4 %), i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera (21,2 %) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (17,7 %). Gjatë vitit 2018, sektori i industrisë nxjerrëse pati numrin më të vogël të ndërmarrjeve aktive të cilat zunë 0,6 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej.

Madhësia

Gjatë vitit 2018, nga vrojtimi rezulton se ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar japin kontributin kryesorë në ekonomi dhe realizuan 48,5 % të shitjeve neto, 42,2 % të të punësuarve gjithsej dhe 60,5 % të investimeve edhe pse përbëjnë vetëm 1,2 % të ndërmarrjeve aktive. Nga rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve vërehet se ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kanë kontributin më të madh të shitjeve neto me +5,0 pikë përqindje, të ndjekura nga ndërmarrjet me 10-49 të punësuar me +2,4 pikë përqindje në ndryshimin vjetor gjithsej të shitjeve neto.

Gjatë vitit 2018, ndërmarrjet në grupin me 1-4 të punësuar përfaqësuan 69,3 % të ndërmarrjeve dhe punësuan 9,7 % të të punësuarve, të prodhuesve të të mirave. Ky grup ndërmarrjesh realizoi 4,5 % të shitjeve neto dhe 3,0 % të investimeve për prodhuesit e të mirave.