INSTAT: Pandemia 'zhyt' tregtinë e jashtme, në mars eksportet 36,2% më pak se në 2019

17 Prill 2020, 13:01 | Përditesimi i fundit: 2020-04-17 13:02:19

Pandemia e koronavirusit ka goditur seriozisht aktivitetin e import-eksportit. Në Mars 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 18 miliardë lekë, duke u ulur me 36,2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 29%, në krahasim me shkurtin e këtij viti, njoftoi sot Instituti i Statistikave. Ndërkohë, importet e mallrave arritën vlerën 42 miliardë lekë, duke u ulur me 25,4%, në krahasim me një vit më pare dhe me 19,3% në krahasim me shkurtin 2020. E vetmja shifër pozitive është se deficiti tregtar i këtij muaji është 24 miliardë lekë, duke u ulur me 14,9%, krahasuar me marsin 2019 dhe me 10,2% në krahasim me shkurtin 2020.

Si tremujor, eksportet e mallrave arritën vlerën 66 miliardë lekë në janar-mars, duke u ulur me 9%, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 135 miliardë lekë, duke u ulur me 8,5%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 70 miliardë lekë, duke u ulur me 8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës.