INSTAT: Rritet punësimi me 3.4% dhe pagat me 4,5 %/ Ministrja e Financave: Politikat e ndërmarra pozitive

11 Shtator 2019, 21:00 | Përditesimi i fundit: 2019-09-11 21:03:59

Papunësia në tremujorin e dytë të këtij viti ka zbritur në nivelin e 11,5 %. Krahasuar me një vit më parë niveli i papunësisë ka rënë me 0,9% dhe ka zbritur me 0,6% në raport me tremujorin e parë të këtij viti. Për periudhën prill-qershor numri i të punësuarve është rritur me 3.4%. Sipas raportit të INSTAT, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 69,8 %, duke shënuar përsëri një rritje krahasuar me një vit më parë. Pjesëmarrja në punë është nga meshkujt, me 77,8% dhe gratë kanë një pjesëmarrje prej 61,9 %.

Sektori i shërbimeve ka punësuar më shumë individë këtë periudhë konkretisht me 5,7 % krahasuar me 2018, kjo për arsye edhe të sezonit veror ku rritja e personelit është më e madhe nëpër restorante apo hotele. Në vend të dytë renditet sektori i industrisë që ka punësuar 4,4 % më shumë persona se një vit më parë, dhe në fund renditet bujqësia që ka vetëm punësuar vetëm 0,3 % më shumë se në 2018.

Lidhur me këto të dhëna ka reaguar edhe Ministrja e Financave duke u shprehur së këto të dhëna tregojnë sërish se politikat të ndërmarra nga qeveria kanë rezultuar efektive çka është reflektuar në rritjen e punësimit dhe  zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ndërkohë po për të njëjtën periudhë është rritur me 4,5 % paga mesatare mujore bruto, e cila ka arritur në nivelin e 52.645 lekë. Pavarësisht rritjes së pagës, të punësuarit në sektorin e tregtisë, transportit, aktivitetit akomodues dhe shërbimit ushqimor është 26,1 % më e ulët sesa mesatarja në nivel kombëtar. Po ashtu ulje të pagave ka pasur edhe në sektorin e ndërtimit 2,6 %.