INSTAT: Shqipëria ul me 13.4% eksportet me Kosovën, i rrit me 42% me Serbinë

17 Gusht 2020, 18:16

TIRANË- Më shumë mallra eksportoi dhe importoi vendi në muajin korrik në raport me muajin qershor të këtij viti, ndërsa krahasuar me vitin 2019, tregtia vijon të jetë në rënie të ndjeshme. Vetëm në muajin që lamë pas vendi ka eksportuar mallra me vlerë 25 miliardë lekë, dhe ka importuar nga jashtë 56 miliardë lekë mallra, duke përkeqësuar deficitin tregtar. Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin korrik deficiti tregtar arriti në 32 miliardë lekë ose 9.9% më shumë se në qershor 2020.Si pasojë e pandemisë dhe mbylljes së shumë aktiviteteve prodhuese tregtia u reduktua. Të dhënat flasin për një rënie të eksporteve në 7 muaj me 16.8%, dhe të importeve me -13.2%. në total deficiti tregtar që nga Janari deri në Korrik arriti në 178 miliardë lekë. Sektori fason duket se po e përjeton më rëndë situatën e krijuar nga COVID-19, pasi eksportet në shtatë muaj të grupit të tekstileve dhe këpucë ka rënë me 8.8%. Po ashtu nga Janari-Korrik vendi ka vendosur të eksportojë me pak materiale ndërtimi dhe minerale e energji elektrike. Ndërsa rritje ne eksporte ka pasur në grupin e ushqimeve, dhe makinerive e pjesëve të këmbimit.