Instituti Piepoli dhe Report Tv publikojnë sondazhin e parë për zgjedhjet 2021! Qeveria Rama akoma shumicë, PD në rritje

9 Dhjetor 2020, 00:40 | Përditesimi i fundit: 2020-12-09 01:10:51

TIRANË-Sondazhi i zhvilluar nga Report tv dhe Instituti prestigjioz italian Piepoli, i transmetuar gjatë emisionit "Repolitix" nxjerr Partinë Socialiste shumicë në zgjedhjet e 25 prillit. Partia Demokratike është në rritje krahasuar me vitin 2017, ndërsa votat e LSI-së i shkojnë Partisë Socialiste. 

Nëse qytetarët do të shkonin të votonin sot 53- 59% e tyre do të votonin Partinë Socialiste që ka një rritje nga zgjedhjet e 2017 kur mori 48,24% të votave.  Një rritje që është paralele me rënien drastike që sipas sondazhi shënon LSI krahasuar me 2017: Sot partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi do të merrte vetëm 2-4% të votave, ndërsa 4 vite më parë ka marrë 14,28%. 

Në rritje është dhe Partia Demokratike që sot do të merrte 30-34% të votave, nga 28,7% që ka marrë në zgjedhjet e 2017-s. Sipas sondazhit Partia Socialiste ka një pëlqim të madh edhe në Tiranë ku mund të arrijë deri ne 60%.

Sipas insititutit Piepoli opinioni publik shqiptar i kalon me nota pozitive veprimet e qeverisë Rama në luftën ndaj COVID-19 dhe për rindërtimin pas tërmetit. Por PS kritikohet nga qytetarët për dialogun jo të mirë me opozitën, ku 66% e të intervistuarve thanë se nuk ka qenë i mirë. Edhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit  është votuar nga shumica e të intervistuarve si jo pozitive. 

Dixhitalizimi i shërbimeve ndaj qytetarëve është vlerësuar pozitivisht nga të intervistuarit duke marrë pëlqimin e 50% të tyre. Liria e shtypit ka marrë pëlqimin e 49% të qytetarëve kur u pyetën si e gjykojnë qasjen e qeverisë.