Instrumente prej akulli në 'Ice Music Festival'

25 Mars 2019, 09:57

E paimagjinueshmja ka ndodhur në malet akullnajorë të Presena, në Itali, 2.600 metra mbi nivelin e detit, midis Lombardisë dhe Trentonit. Prej thellësive të akujve dalin tingujt e një muzike qiellore. Bëhet fjalë për  edicionin e parë të Festivalit të Muzikës në Akull, një nga ngjarjet më evokative të skenës muzikore evropiane.

Brenda një shpelle akullnajore është “gdhendur” skena muzikore me 200 vende për spektatorët, të cilët do të shijojnë muzikën që “rrjedh” prej instrumenteve prej akulli si violinë, violonçel, kitar, kitarë bas, bateri, mandolin etj. Ideja e pati pikënisjen prej artistit unikal, amerikanit Tim Linhart, i cili për dekada me radhë ka punuar duke i dhënë jetë vizionit të tij për të krijuar instrumenta prej akulli, të cilët kanë tinguj të përkryer dhe janë të aftë të çlirojnë emocione brenda sallës epike në Alpet e Italisë.

Temperatura brenda shpellës arrin në -7 gradë Celsius dhe në raste të veçanta edhe -15 gradë. Për të realizuar këtë mjedis unikal janë dashur 2800 orë pune dhe janë lëvizur më shumë se 5 mijë metra kub borë. Kodi i veshjes është i mirë përcaktuar: xhub i trashë dhe pantallona skish, për shkak se deri edhe vendet për tu ulur janë ndërtuar me akull.

Përgatiti Ilir Çuçi