Vettingu "tremb" meshkujt, braktisin fakultetin Juridik, dekani Artan Hoxha: Nga 700 aplikime, 614 janë vajza

27 Gusht 2018, 19:06 | Përditesimi: 27 Gusht 2018, 19:07

Pas nisjes së vettingut dhe shkarkimit të 21 gjyqtarë e prokurorë për mosjustifikim pasurie dhe kontakte me botën e krimit, meshkujt shqiptarë heqin dorë nga fakulteti i Juridikut. Këtë konstatim e ka bërë dekani i këtij fakulteti, Artan Hoxha, i cili gjatë një konference për mediet sqaroi se nga 700 aplikime, 614 prej tyre janë vajza.

Kemi një fenomen që nuk e kemi verifikuar vitin e shkuar dhe nuk kam të dhëna, por nga 6634 aplikime për 700 vende në Fakultetin e Drejtësisë, 614 janë vajza dhe 86 janë djem. Po na humbasin djemtë në fakultet, drejtësinë po e marrin në dorë femrat. 

Dekani i fakultetit Juridik,  Artan Hoxha

E nisur nga këto shifra, Hoxha duke u habitur dhe vetë ka bërë një verifikim për statistikat e popullsisë, ku sipas tij raporti është 50 % meshkuj e 50 % femra, por aplikimet në fakultetin Juridik tregojnë se vajzat dominojnë.

Pata një shqetësim dhe u futa në ndarjen e popullsisë meshkuj-femra dhe del që ne jemi aty aty 2 milion e 800 e ca mijë, gjysma e popullsisë janë femra në raport me meshkujt, të cilët e kalonin me 700 mijë numrin e popullsisë në raport me femrat.

Dekani i fakultetit Juridik,  Artan Hoxha

Ndërkohë, në sistemin aktual të drejtësisë nga afro 880 prokurorë e gjyqtarë vetëm 20 % e tyre janë zonja e zonjusha, ndërsa pjesa tjetër dominohet nga burrat.

b.ha./Shqiptarja.com