Inter s'i reziston dot furisë së Real Madrid në Champions, Atalanta e dobët për Liverpool-in! Bayern vetëm fiton

4 Nëntor 2020, 13:42

Interi i Antonio Conte-s mund të tregojë maturi dhe të bëhet i frikshëm, por në Champions League përballë Real Madrid-it e pati të pamundur. ‘Galaktikët’ mposhtën jo pa vështirësi zikaltërit 3-2, duke rritur ndjeshëm shanset për kalimin e grupit pas dy ndeshjeve ku kishin vetëm një pikë.

Në stadiumin ‘Alfredo di Stefano’ spanjollët kaluan në avantazh me një gol të kontestuar të Benzema-s, që dërgoi në rrjet një top të fituar me faull sipas zikaltërve. Pak çaste më pas Ramos dyfishoi me kokë, por Inter u përgjigj shpejt me Martinez. Në pjesën e dytë Perisic barazoi gjithçka, ndërsa në vijim zikaltërit goditën edhe shtyllën, por golin e fitores do ta shënonte Rodrigo për vendasit.

Në takimin tjetër të grupit B Monchengladbach shkatërroi 0-6 Shakhtar Donetsk. Pas 3 ndeshjesh gjermanët udhëheqin me 5 pikë, Shakhtar i dyti me katër, ndërsa Interi i fundit me vetëm dy pikë.

Në grupin A Bayern Mynchen nuk njeh rezultat tjetër veçse fitores duke likuiduar 2-6 Salzburg, ndërsa Atletico Madrid ka ‘ngrirë’ 1-1 në transfertën e Moskës kundër Lokomotivës.

Në grupin C Manchester City ka mposhtur lehtësisht Olympiacos 3-0, ndërsa po me të njëjtin rezultoi fitoi Porto kundër Marseille-s.

Ndryshe nga çfarë pritej tepër e lehtë ka rezultuar transferta e Liverpool në Bergamo kundër Atalanta-s. Skuadra ku luan edhe Gjimshiti rezitoi vetëm 16 minuta, ndërsa deri në fund kampionët e Anglisë shënuan 5 herë.

Për t’u theksuar edhe fitorja e Ajax që kundër Midtyjland ishte me 11 mungesa për shkak të COVID-it. Holandezët ia dolën 1-2 në trasnfertën daneze.