Inter-i 'i çmendur', përmbys Torino-n nga 0-2! Fiton edhe Roma, eurogol nga Mkihtaryan

23 Nëntor 2020, 09:23

Inter është kthyer te fitoret në Seria A dhe këtë e ka bërë duke përmbysur një rezultat që ishte 0-2 në disfavor të saj. Skuadra zikaltër për javën e 8 të Seria A ka mposhtur në San Siro 4-2 Torino-n, që në Milano kishte ardhur për të bërë keq.

Ishte Zaza ai që zhbllokoi shifrat në pjesën e parë, para se Ansaldi të dyfishonte me një penallti, por që nuk festoi për shkak të shkuarës zikaltër. Ishte pikërisht ky moment që ndezi motorrët e skuadrës së Conte-s, që shkurtoi diferencat në harkun kohor të dy minutave. Euforia e vendasve trembi Torino-n që lëshoi shumë terren dhe Lukaku nuk vonoi të barazonte me portën e boshatisur.

Do të ishte sërish ‘bomberi’ belg që do të shënonte dhe do të prmbyste me një penallti të fituar me VAR. Deri në fundin e lojës pati vend edhe për një tjetër gol, por këtë herë të realizuar nga Lautaro, që u fut në lojë si zëvendësues.

Ndërkohë në Olimpico Roma ka dhuruar spektakël kundër Parma-s, duke fituar me shifrat 3-0. Pas Mayoral, ishte rradha e Mkihtaryan që realizoi një gol për të vënë duart në kokë. Armeni më pas ishte edhe autori i rrjetës së tretë, por goli i dytë me siguri është tek më të bukurit e karrierës së tij.