Interi poker ndaj Cagliari-t në Kupë, Lazio-Napoli çifti i parë çerekfinalist

15 Janar 2020, 10:23

Interi fiton me poker ndaj Cagliarit dhe kualifikohet për në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Zikaltërit mposhtën 4-1 në “San Siro” ekipin nga Sardenja ku ai që shkëlqeu ishte Lukaku. Zikaltërit kaluan në avantazh që pas 22 sekondash kur rrjetën e tundi sulmuesi belg që përfitoi nga një gabim i mbrojtjes mike. Dyfishimi erdhi nga mesfushori Borja Valero në minutën e 22-të ndërsa rezultati u “blindua” në fillimin e pjesës së dytë ku Lukaku shënoi golin e tretë të takimit dhe të dytin personal. Oliva ngushtoi diferencën për Cagliarin por Ranocchia me kokë vulosi fitoren e djemve të Contes. Në çerekfinale Interi pret fituesen e duelit Fiorentina-Atalanta.

Çifti i parë çerekfinalist i përcaktuar tashmë është Lazio-Napoli. Lazio bëri rrotacion ndaj Cremoneses por e mundi 4-0 me golat e Patric, Parolo, Immobile me penallti dhe Quissanga. Bardhekaltërit vijojnë momentin fantastik  edhe në Kupë. Ndërsa Napoli me Hysajn në formacion likuidoi Perugian duke e mposhtur 2-0. Të dy golat u shënuan me penallti dhe të dy nga Lorenzo Insigne./