Interi, Roma e United në 1/8 e Europa League, jashtë Arsenal e Ajax

28 Shkurt 2020, 15:47

Europa League ka përcaktuar 15 ekipet që kalojnë në fazën e 1/8. Pa probleme kanë siguruar një biletë për më tej Interi dhe Manchester United ndërsa janë eliminuar në mënyrë surprizë Arsenali dhe Ajax.
Në një “San Siro” të boshatisur për shkak të frikës nga koronavirusi Interi mposhti 2-1 Ludogorets dhe me rezultatin komod 4-1 në të dyja ndeshjet avancon më tej. Bullgarët shënuan të parët me Cauly por djemtë e Contes përmbysën gjithçka që në fraksionin e parë. Fillimisht barazoi Cristiano Biraghi dhe më pas goli i fitores erdhi nga Lukaku. Interi është gati për derbin e Italisë të dielën ndaj Juventusit.

Më me vështirësi biletën për në 1/8 e Europa League e siguroi Roma. Verdhekuqtë barazuan 1-1 në Belgjike me Gent falë golit të Kluivert dhe ekipi i Fonseca-s mbetet në garë. Manchester United ka kaluar lehtësisht pasi ka treguar gjithë forcën në “Old Traford” ndaj Club Brugge. “Djajtë e kuq” fituan me goleadë 5-0 ndaj belgëve dhe hedhin kandidaturën për fitimin e trofeut. Bruno Fernandes me penallti dhe Ighalo, Mc Tominey dhe dygolëshi i Fred vendosën takimin.

Në mënyrë të pabesueshme u eliminua Arsenali një prej favoritëve. Topçinjtë e kishin fituar 1-0 ndeshjen e parë ndaj Olympiacos por u mundën në Londër 2-1 pas kohëve shtesë. Cisse shënoi për greket dhe e dërgoi ndeshjen në shtesë ku barazoi Aubameyang dhe golin e kualifikimit e realizoi El Araby.

U eliminua edhe Ajax. Holandezët fituan 2-1 në Amsterdam ndaj Getafes por spanjollët kishin fituar 2-0 ndeshjen e parë dhe kaluan më tej.Po ashtu janë kualifikuar edhe Sevilla,Leverkusen, Wolves,Basel dhe Shakhtar Donetsk./ Nga Andi Kapxhiu