Intervista / Bardh Spahia për Report Tv: Shkodra, qarku më i diskriminuar nga Rama!

13 Prill 2021, 09:35 | Përditesimi i fundit: 2021-04-13 09:38:59

I renditur i shtati në listën e Partisë Demokratike në Qarkun Shkodër, Bardh Spahia rrezikon shumë të mos rikthehet në Kuvendin e Shqipërisë pas 25 prillit, referuar rezultateve të zgjedhjeve të kaluara por edhe parashikimeve. Megjithatë në intervistën e dhënë për Report Tv, Spahia shprehet i sigurt që se PD nuk e diskuton të shtatin dhe po lufton fort për të tetin.  "Ne nuk e kemi garën me njëri-tjetrin, ne garën e kemi për të larguar një orë e më parë Edi Ramën. Thirrja ime për çdo qytetar të Shkodrës është që të votohet nr. 9, të votohet PD-ja dhe alternativa e saj", tha ai.

Bardh Spahia shprehet se Shkodra është qarku më i diskriminuar nga Qeveria e Edi Ramës.  "Ky qark, kjo bashki sidomos, janë parë si armiq të vërtetë të qeverisjes qendrore. Po t’i krahasosh financimet e Shkodrës krahasuar me Durrësin p.sh., janë 21 herë më pak financimet për Shkodrën sesa për Durrësin, apo jemi bashkia e cila financohet 16 herë më pak se Korça p.sh., 14 herë më pak se Elbasani, 12 herë më pak se Fieri apo 11 herë më pak se Vlora", tha ndër të tjera në intervistën për Report Tv, Bardh  Spahia.