Presidenti i Republikës zoti Ilir Meta tha se do të publikojë të gjithë emrat tuaj, sigurisht jo për mirë, që votuat këto ndryshime. A jeni penduar në ndonjë moment për atë që bëtë apo votuat me bindje të plotë se kështu duhet shkuar drejt zgjedhjeve të vitit 2021?
Ndryshimet që janë bërë sot në Kodin Zgjedhor lidhen me ndryshimet kushtetuese. Pra, përderisa Kuvendi i Shqipërisë bëri ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë lidhur me hapjen e listave, padyshim që ky ndryshim kushtetues do të reflektonte në Kodin Zgjedhor. Pra, është detyrim ligjor i parlamentit që ligjet të jenë në përputhje me Kushtetutën. Lidhur me përmbajtjen e ndryshimeve, a duhet të jenë këto ato që ne presim, padyshim që ne e kemi thënë, edhe vetë kryeministri Rama e ka thënë, të gjithë e themi, por edhe unë e theksoj që këto nuk janë ato ndryshime dhe modeli më i mirë që duhet. Po e nis që me marrëveshjen e 5 qershorit sepse reforma zgjedhore, anëtare e së cilës kam qenë edhe unë, ka pasur si objektiv ose objekt të punës së vet reflektimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. Dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR-it adresojnë çështje, të cilat janë shumë të rëndësishme për zgjedhjet, duke filluar që nga depolitizimi i administratës, duke filluar nga KQZ-ja te niveli i qendrës së votimit dh një sërë probematikash që lidhen me financimin e partive politike, me fushatat, e me radhë. Mua më vjen keq, e kam theksuar në çdo studio, e kam theksuar publikisht në rrjetet sociale, po e theksoj edhe këtu, që ne nuk arritëm të kemi një administratë zgjedhore të depolitizuar. Dhe pikërisht për këtë më vjen keq. Pra kam votuar një element të reformës zgjedhore, për të cilën unë por edhe e gjithë partia ku unë aderoj, kemi qenë kundër. Por për hir të kompromiseve sepse në politikë bëhen kompromise dhe meqenëse kjo ka ardhur si kërkesë nga opozita jashtëparlamentare, ne e votuam atë. Por ky nuk është modeli më i mirë. E dyta, hapja e listave 100% është një kërkesë që e ka kërkuar publiku.
