Intervista e plotë me Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj

21 Mars 2019, 17:11

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi në një intervistë për emisionin "45 Minuta" të drejtuar nga Denis Minga në Report Tv se me apo pa opozitën, Partia Socialiste do të futet në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ai tha se, as PD-ja nuk e di aktualisht se cfarë do të bëjë, pasi vendimi merret në Moskë.

"Me shumë gjasa e di dikush në Moskë nëse do të marrë PD-ja pjesë në zgjedhje apo jo. Kjo është e vërteta. Përsa kohë që investigimet në Amerikë, thonë se një kompani ruse bën pagesë të partisë Demokratike. Dhe nëse lekët vinkan nga Moska dhe Basha refuzon që të shkojë në prokurori. Një parti që financohet nga para ruse, mesa duket në Moskë u vendoska, duhet të pyesim Moskën nëse PD-ja do të marrë pjesë në zgjedhje" tha Veliaj.

Përsa i përket marrëdhënieve me Edi Ramën, ai tha se janë shumë të mira, ndërsa 'thumboi' opozitën duke thënë se shpreson që të zihet kryetari i bashkisë me kryeministrin për të përfituar. Veliaj theksoi se është gati jo vetëm prë mandatin e dytë në krye të bashkisë së Tiranës, por edhe për një të tretë nëse qytetarët do i besojnë drejtimin.