Intervista e plotë/ Mediu në Report tv: Koalicion me PD ose vetëm në 25 prill! Renditja në lista? Nuk shkoj pas dëshirës së Bashës, s’punoj si punëtor për ndonjë tjetër

21 Tetor 2020, 08:28

Pse Fatmir Mediu kërkoi shpërndarjen e parlamentit? Zonja Kryemadhi tha që nuk ka ndonjë rëndësi shpërndarja e këtij parlamenti sepse më 25 prill është beteja finale, ndërsa një shpërndarje mund t’i bënte deputetët që, sipas saj janë të blerë nga mazhoranca, edhe më aktivë ose më të përmendur në skenën politike. Për ju, përse duhet të shpërndahet parlamenti kur kanë mbetur edhe 7 muaj nga zgjedhjet?

          Sepse Kodi Zgjedhor është një kod tërësisht antikushtetues, antidemokratik dhe nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, një kod i ndërtuar në mënyrë të njëanshme si asnjëherë në historinë politike të këtij vendi, nga Edi Rama me qëllimin për të legalizuar vjedhjen dhe grabitjen e votave të qytetarëve shqiptarë. Në këtë pikëpamje unë mendoj që është shumë më i rëndësishëm procesi zgjedhor, liria dhe e drejta e qytetarëve shqiptarë për të votuar dhe për të vendosur për të ardhmen e tyre. Pra për të shmangur një proces manipulativ duhet marrë qëndrim inekstremist me parlamentin në qoftë se e kthen dekretin e presidentit. Duke u nisur edhe nga një fakt tjetër, kam besuar dhe besoj që presidenti ka të drejtë në qëndrimin e tij për shpërndarjen e parlamentit për veprime antikushtetuese, të një parlamenti i cili është antikushtetues. Dhe këtë debat e kam shtruar në tryezën e partive politike të opozitës, që opozita duhet t’i bëjë një kërkesë Presidentit të Republikës që, nëse parlamenti nuk merr në konsideratë dekretin e presidentit, atëherë presidentit duhet të veprojë sipas atij qëndrimi që e ka bërë publik dhe e ka përsëritur herë pas here, bazuar në të drejtën e tij kushtetuese.

Ju mendoni se në gjithë këtë luftë që zoti Meta ka me mazhorancën dhe kryesisht me kryeministrin Edi Rama, po të kishte të drejtë për shpërndarjen e parlamentit, nuk do ta kishte bërë?

          Kjo është një analizë që vlen për ata që duan të shikojnë anën juridike të problemit. Unë shikoj anën politike të problemit dhe në anën politike të problemit unë mendoj që presidenti është autoriteti i vetëm që ka ngelur për të çekuar nga pikëpamja e veprimeve kushtetuese ose jo të qeverisë dhe të parlamentit. Presidenti ka mbajtur një qëndrim publik përballë të gjithë qytetarëve shqiptarë, ka mbajtur qëndrim publik herë pas here në raport me kushtetutshmërinë dhe veprimet kushtetuese ose jo të parlamentit apo edhe të kryeministrit.