Intervista, Lloshi: Duhet hartuar një Fjalor i ri për Gjuhën Shqipe dhe një kopsht për albanologët

21 Dhjetor 2020, 17:35

Gjuhëtari dhe studiuesi Xhevat Lloshi u vlerësua gjatë ditëve të Kongresit të Manastirit në Maqedoninë e Veriut me çmimin “22 Nëntori”. Për këtë vlerësim shtetëror që ka në qendër mirënjohjen ndaj intelektualëve, të cilët kanë dhënë kontribut në avancimin e bashkëjetesës mes kulturave të ndryshme në Maqedoninë e Veriut, profesori rrëfen se ndihet i nderuar. Nga periudhat historike të shqipes tek Kongresi i Manastirit për Alfabetin dhe më tej i Drejtshkrimit në vitin 1972, Lloshi, si bashkëpunëtor shkencor i Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980, sot pas 40 vitesh ndalet dhe tek rëndësia e hartimit të një Fjalori të ri për Gjuhën Shqipe dhe një kopsht për albanologët më të shquar. E ndiej veten të nderuar për këtë çmim, por mendoj se çmimi duhet vendosur në një kuadër më të gjerë. Në Maqedoninë e Veriut, prej disa vitesh është themeluar një Institut i Trashëgimisë Kulturore edhe Shpirtërore, që e drejton Skënder Hasani. Prej tyre është bërë një punë, për të nxjerrë në dritë këto vlera. Kështu ndodhi, pasi Kongresi i Ditëve të Manastirit nuk u bë në vendin tonë. Instituti para disa vitesh themeloi një forum shkencor, që është Java e Albanologjisë nga 14 deri në 22 Nëntor. Në këtë forum ftohen albanologë nga treva të ndryshme shqipfolëse, që të mbajnë kumtesa për këto çështje. Në këtë mënyrë Kongresi i Manastirit ka dhënë mundësinë që të zhvillohet kjo veprimtari për kulturën shqiptare. Prandaj u propozua që të jepet dhe ky çmim shtetëror i bazuar në bazë të rregullave të shtetit të Maqedonisë së Veriut. Në këto rrethana, unë e ndiej veten të nderuar, ku vjet ishin tre autorë. Ndërsa këtë vit unë dhe akademiku Aliu Aliu. Nderi është se përfshihemi në një traditë kulturore historike shqiptare, që ka rëndësi jo thjesht për momentin kur u bë, por edhe për ditët e sotme. E para, sepse u vendos ky alfabet që kemi sot. Kongresi i Manastirit përcaktoi bashkimin edhe frymën e përbashkët të shqiptarëve, frymëzimin e përbashkët të shqiptarëve për Pavarësinë e Shqipërisë. Ata shtruan çështjen, si do të bëhet vendimi për Shpalljen e Pavarësisë? Me ç’alfabet do të shkruhet? Me një alfabet që e kanë vendos vet shqiptarët. Kongresi shtroi një ide të madhe të përbashkësisë së shqiptarëve, të kulturës shqiptare që vetëm katër vjet më vonë do të ndodhte. Kongresi i Manastirit u realizua më një komision që u ngrit befas. Kishte disa shekuj që bëheshin prova të ndryshme. Çdo shqiptarë, kur ka bërë një alfabet origjinal, ka bërë përpjekje për ta pas alfabetin shqiptar me shkrim. Të gjitha kontributet e të huajve dhe të shqiptarëve, e kishin të qartë, se cili është sistemi fonetik i shqipes së shkruar, edhe cilat duhet të ishin shkronjat për këtë. Kongresi i Manastirit ishte një përfundim shkencor i një rruge të gjatë të Gjuhës Shqipe. Pasi u përcakta alfabeti, çështja që u diskutua ishte Drejtshkrimi, me këtë u mor Komisia Letrare e Shkodrës, Kongresi i Lushnjës, dhe erdhëm tek viti 1972 tek Kongresi i Drejtëshkrimit.