Intervista për Zërin e Amerikës, Veton Surroi: Korrigjimi i kufijve, i rrezikshëm për shqiptarët

9 Gusht 2018, 21:04

Publicisti Veton Surroi thotë se hapja e konceptit për korrigjim të kufijve ose të korrigjimeve mbi baza etnike është parim i rrezikshëm për shqiptarët, i cili, sipas tij, nuk do të prodhojë zgjidhje në normalizim në mes të shteteve por do ta lë çështjen e Kosovës si një konflikt i ngrirë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Surroi thotë se debati për kufijtë duhet ndalur, pasi Kosova nuk ka kurfarë interesi të vazhdojë më tej bisedimet mbi çështjen e kufijve.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, në Kosovë kanë shpërthyer debatet rreth marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, veçanërisht pasi presidenti Hashim Thaçi hodhi idenë e korrigjimit të kufijve. Ju e keni kundërshtuar ashpër këtë qasje. Për cilën arsye?
Veton Surroi: Arsyeja është e thjeshtë, ne nuk jemi shtete të cilat e kemi njohur njëri tjetrin dhe Serbia e Kosova së pari duhet të arrijnë nivelin e marrëdhënieve në mënyrë që të bisedojnë për gjëra tjera, por të fillosh të bisedosh për kufirin pa i rregulluar çështjet, do të thotë t’ia nisësh mbrapsht dhe të hapësh derën për konceptin e korrigjimit të kufijve ose të korrigjimeve mbi baza etnike, që është jashtëzakonisht parim i rrezikshëm për shqiptarët, na godet në shumë plane dhe është një çështje e cila gjoja duket si zgjidhje por është hyrje për një proces shumë të vështirë e të dhimbshëm, i cili nuk do të prodhojë zgjidhje në normalizim në mes të shteteve, por do ta lejë Kosovën si një konflikt i ngrirë.

Zëri i Amerikës: Por, presidenti Thaçi në fakt flet jo për ndarje të Kosovës, por bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Përse duhet kundërshtuar?
Veton Surroi: Është naive të flasësh në atë formë, do të thotë konflikti me Serbinë nuk ka mbaruar kështu siç po flet ai (presidenti) duket sikur Serbia është Luksemburgu dhe tash një shtet paqësorë me të cilin tash do të merresh vesh për një copë toke këtu apo një copë toke aty. Debati për këmbimin e territoreve është krejtësisht i gabueshëm është qasje që fillon nga bishti dhe dhe nga bishti nuk zgjidhen çështjet.