Intervista/ Zija Çela për “Lavjerrësin e qytetit”, aty ku të ndershmit vihen përballë të pandershmëve

15 Mars 2020, 14:20

Cili është kufiri që i ndan të ndershmit nga të pandershmit? Ndoshta vënia përballë një zgjedhje tunduese, mund të japë përgjigje që nuk i prisnit. Romani “Lavjerrësi i qytetit” i Zija Çelës kapërcen barrierat letrare, dhe i vendos ngjarjet gjithkund pse jo, në mes të Tiranës kryeqytet. Me një rrëfim që të rrëmben ujërave të një filozofie mbresëlënëse, shkrimtari bën bashkë të ndershëm e të pandershëm, të lirë e të burgosur, duke bërë që çdo bindje rreth ndërgjegjes njerëzore të lëkundet. E drejta edhe e padrejta, vihen pranë, kundër lëkunden në trampolinën e rrethanave, duke na bërë të mendojmë se asgjë nuk është e sigurtë. 

Zija Çela në këtë intervistë për “ReportTV” tregon si rrugëton shtigjeve të imagjinatës për gjetjen e vendeve, të ngjarjes së radhës. Ai flet edhe për letërsinë e përhershme edhe atë të përjetshme, për artin e të shkruarit. I pandarë nga pena, aroma e bojës, sikur i jep një tjetër esencë krijimtarisë së tij letrare.

Zoti Çela, romani juaj “Lavjerrësi i qytetit” duket sikur na sjell një subjekt letrar të marrë nga realiteti ynë i përditshëm. Përmes rrëfimit të Valer Jacës ju sillni tek lexuesi ngjarjet që zhvillohen në Burgas, aty ku në një anë të rrugës qëndrojnë të ndershmit edhe në anën tjetër të pandershmit. Si ka lindur ky roman?

Po shkruaja “Djallin komik”, edhe sipas një reaksioni plot enigma, që më ka ardhur në ciklin e romaneve të fundit, më erdhi gjetja e romanit “Lavjerrësi i qytetit”. Pastaj u përpunua gjatë kohës. Kam një zakon të ngjashëm me kinoregjisorët, të cilët sapo kanë skenarin në dorë kërkojnë vendin se ku do të xhirohet filmi. Dikur po udhëtoja për të parë disa vende, ndërsa qytetet i krijoj edhe u vendos emra vet. Në këtë roman qyteti ku zhvillohen ngjarjet është Burgasi, por unë ju ftoj që të përfytyrojmë Tiranën, rrugën “Bulevardi Zogu I”, ku kalon Unaza edhe tek ish-stacioni i Trenit, diku më tutje realisht është burgu. Me vendim të Këshillit Bashkiak, krahu nga qyteti është quajtur rruga e “Të Ndershmëve”, ndërsa krahu tjetër i “Të pandershmëve”. Romani nis në çastin, kur në burg për arsye se është mbushur kapicë me të burgosur ka nisur greva e urisë. Ata kërkojnë të drejtat e tyre. Qytetarët të prekur në ndërgjegje nisin demonstrimin në Bulevard për t’iu bashkuar në mbrojtje të të drejtave të të burgosurve. E prekur nga sedrën e vet qeveria mendon një plan, “T’i skedojmë sedrën e këtij qyteti, sepse ne e dimë që do të thyhen”. Kryeministri dërgon ministrin e Brendshëm në Burgas mbledh qytetarët edhe u thotë: “Unë kam ardh me një propozim. Duke menduar se do të dëgjoj klithmën: Jo, jo, jo... A doni ju që të mbroni të drejtat e të burgosurve, t’i merrni të burgosurit në shtëpitë tuaja edhe atje të kryejë dënimin që ju ka mbajtur?”.  “Po, po”, thonë qytetarët, “i marrim, se është mizori që të mbyllësh sytë në rastin që shikon se diçka shkon keq”. Ministri telefon kryeministrin, i cili si burrë shteti nuk mund të tërhiqet më. Dashje pa dashje do të bëhet dakordësimi me qytetarët. Nëpër shtëpi krijohen qelitë dhe nis bashkëjetesa. Të ndershmit me të pandershmit. Ngjarje pas ngjarje do të rezultojë, që disa nga të pandershmit, siç quheshin dikur, bëhen të ndershëm dhe anasjelltas. Nuk janë ngjarje të përgjithshme, por episode me njerëz realë.