Investigimi, Berisha e Basha gati te blinin gaz paralizues për protestuesit pas 21 Janarit

17 Maj 2019, 12:13

Teksa sot akuzojnë policinë për përdorimin e gazit lotsjellës ndaj protestuesve, pas 21 Janarit 2011 Basha e Berisha porositën gaz 10 herë më të fuqishëm dhe më të rrezikshëm se ato që po përdoren aktualisht dhe gaz neuroparalizues. Shqiptarja.com zbardh dokumentet ku veç armatimeve për përballimin e turmave, u porositën edhe gaz i rrezikshëm, nga i cili qeveria e PD u tërhoq vetëm pas reagimit të agjencive të huaja sekrete.

***

Pak ditë pas masakrës së 21 janarit 2011, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe ish kryeministri Sali Berisha, për t'iu përgjigjur protestave të reja nga ana e opozitës socialiste, u përpoqën të blinin për Policinë gazra lotsjellës 10 herë më të fuqishëm dhe më të rrezikshëm se ato që po përdoren aktualisht, madje edhe gaz neuro-paralizues, që konsiderohen si armë kimike helmuese. Prova për këtë skandal gjendet në disa dokumente, të zbuluara nga redaksia investigative e Shqiptarja.com, të cilat do t’i publikojë në numrin e nesërm.

Dokumentet tregojnë edhe se Policia e Lulzim Bashës përballoi protestat e opozitës pa asnjë përgatitje teknike dhe në mungesë të pajisjeve të nevojshme për të përgjigjur trazirat pa shkaktuar viktima. Policia praktikisht e përballoi protestën e 21 janarit duke patur në dispozicion në mënyrë gati ekskluzive shkopinj goma dhe armë zjarri, të cilat në fakt i përdori duke vrarë katër protestues dhe duke plagosur 130 të tjerë. Ajo sasi e vogël gazi lotsjellës që kishte në dispozicion, për shkak të erës, ra mbi vetë policët, të cilët nuk kishin as maska kundragaz.

Pak orë pas masakrës, me dy kërkesa urgjente drejtuar në datat 22 dhe 23 janar ministrisë së Mbrojtjes, sikurse lexohet në këtë shkresë, Lulzim Basha i kërkon ndihmë ministrit të Mbrojtjes Arben Imami për të mundësuar dhënien e 1.000 copëve maska kundragaz për Policinë dhe mjete të blinduara, skafandra, mburoja dhe kundragaze për Gardën. (DOKUMENTI)

Por masakra e 21 janarit u kthye për Bashën edhe në një rast për t’u përpjekur të marrë financime marramendëse nga qeveria për blerjen e pajisjeve dhe infrastrukturës për Policinë dhe Gardën, blerje, të bëra të gjitha pa gara publike. Kështu, me një shkresë zyrtare dërguar në datën 7 shkurt 2011 Kryeministrisë, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka kërkuar nga fondi rezervë i qeverisë një financim prej 1.045.950.000 lekësh të reja, duke pranuar se, gjatë ngjarjes së 21 janarit, Policia dhe Garda kanë evidentuar ''mungesa të materialeve speciale dhe bashkëkohore për përballimin e situatave të tilla''.

Kjo është lista e materialeve të cilat Lulzim Basha ka kërkuar t’i blejë në mënyrë që Policia të përballonte opozitën në shesh. Përveç se 2.000 uniformave “full protection” të tipit “Robocop”, 2.500 helmetave, mburojave dhe shkopinjve të gomës, ish-ministri i Brendshëm kërkon të blejë edhe 3.000 granata dhe 6.000 fishekë me gaz CN. Gazi CN, i njohur edhe me emërtimin shkencor kloroacetofenon, konsiderohet si shumë helmues dhe shumë i dëmshëm për shëndetin e për këtë arsye policitë në gjithë botën e kanë zëvendësuar me gazin lotsjellës CS, që përdoret aktualisht edhe në Shqipëri, i cili është shumë më pak i rrezikshëm dhe pasojat e të cilit zgjatin vetëm pak minuta.

Por, në të njëjtën listë të Lulzim Bashës, në numrin rendor 33, zbulojmë një tjetër kërkesë, edhe më të rëndë akoma. Në fakt, Basha kërkon blerjen edhe 100 granatave neuro-paralizuese CRCS. Agjentët neuro-paralizues janë armë kimike helmuese të ndaluara nga konventat ndërkombëtare dhe dyshohet se janë përdorur nga qeveria siriane në disa masakra kundër rebelëve. Në po ato muaj, kur Lulzim Basha dhe Sali Berisha donin t’i përdornin për të shtypur protestat e opozitës, Bashkimi Evropian reagoi kundër Spanjës, ku ishte zbuluar se, në një pikë grumbullimi për kafshët, qentë e rrugës i vrisnin duke përdorur pikërisht agjentë neuro-paralizues.