INVESTIGIMI II/ Aferat serbe të Berishës: Miliona euro në studion e familjes nga Lazareviç, të lidhur me trafiqe e parajsa fiskale

30 Mars 2021, 13:29 | Përditesimi i fundit: 2021-03-30 13:47:06

Në tetor të vitit 2008 kryeministri Sali Berisha zbret në fushë beteje bashkë me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme për të bllokuar hetimet që Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë sapo ka nisur ndaj Damir Fazlliçit, mikut të tij personal, por mbi të gjitha, klientit të studios së konsulencës së vajzës së tij, Argita Berisha. Fazlliç dyshohet se ka pastruar në Shqipëri disa miliona euro me origjinë nga parajsat fiskale, por në vend që të ndihmojë hetuesit për të zbuluar të vërtetën, Sali Berisha përdor gjithë pushtetin e tij për ta fshehur atë. Berisha për të ndalur verifikimet e prokurorëve shqiptarë, propozon një hetim ndërkombëtar, natyrisht, duke e pasur të qartë se nuk do të ishte e mundur të bëhej.   

Historia e biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç përfaqëson një nga skandalet e para politiko-afariste që përfshijnë familjen e Sali Berishës pas kthimit në pushtet. Edhe pse ishte një nga pak skandalet e denoncuara nga mediat dhe të hetuara nga prokuroria, vazhdon të përfaqësojë edhe sot modelin e një pushteti të sëmurë dhe të pandëshkuar që Sali Berisha krijoi rreth klanit të tij familjar.   

Lideri i Partisë Demokratike që kishte fituar zgjedhjet e 26 qershorit 2005 me sloganin “Koha për ndryshim”, jo vetëm që nuk e ndryshoi Shqipërinë, por e zhyti vendin në një kënetë korrupsioni dhe nepotizmi në të gjitha nivelet e Shtetit. Zgjedhësit votuan Partinë Demokratike, por bashkë me Sali Berishën, në pushtet erdhi dhe familja e tij. Pak muaj pasi u zgjodh kryeministër, vajza e tij Argita Malltezi u kthye në Shqipëri nga Prishtina duke lënë pas një punë 6 vjeçare të mirëpaguar në Misionin e OKB-së, UNMIK, për të hapur një kompani ligjore në Tiranë. Bashkë me të kthehet edhe bashkëshorti, Jamarbër Malltezi. Edhe vëllai i saj, Shkëlzen Berisha zbulon talentin e ekspertit dhe hap si e motra një studio ligjore, që çuditërisht e mbyll të njëjtën ditë që babi i tij lë qeverinë, në shtator të 2013. Të gjithë së bashku krijojnë në pak muaj një klan pushteti nepotik, në të cilin ftohet të bëhet pjesë edhe Lulzim Basha (edhe ai i kthyer prej pak kohësh nga Kosova dhe miku i ngushtë i Argita Berishes) që merr me vete dhe kunatin Erion Isufi. Një grup politiko-afarist me mijëra tentakula që falë mbështetjes së Sali Berishës do të dominojë i qetë dhe i pandëshkuar deri në humbjet zgjedhore të 2013-s, dhe që sot, me të njëjtën formë dhe me të njëjtët njerëz, ëndërron të kthehet në pushtet.   

Redaksia investigative e Report TV, për herë të parë, rindërton një pjesë të aferave të familjes Berisha dhe të skemës klienteliste të ndërtuar përreth Argita Berishës dhe studios së shoqes së saj Flutura Kola, që funksiononte si ombrellë për të fshehur favoret që Sali Berisha u garantonte klientëve miliarderë të vajzës së tij.