'Inxhinieria ndërtimit' dhe 'mjekësia' nisin mësimin më 6 janar

15 Dhjetor 2019, 17:17

TIRANË- Nesër do të rifillojë mësimi në fakultetet e Universitetit Politeknik të Tiranës, pas pezullimit të procesit mësimor si pasojë e dëmeve të marra në ndërtesë nga tërmeti i 26 nëntorit. Për studentët e inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Tiranës mësimi do të pezullohet gjatë gjithë muajit dhjetor, për të rinisur sërish më datë 6 janar. Ky vendim është marrë nga Rektorati i këtij universiteti, si rezultat i situatës së jashtëzakonshme të krijuar nga tërmeti dhe pas analizimit të  raporteve të vlerësimit të godinave.

Por me të njëjtën situatë do të përballen dhe studentët e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, për të cilët është pezulluar mësimi gjatë gjithë muajit dhjetor. Edhe këta studentë do të duhet të presin datën 6 janar për të rinisur normalisht procesin mësimor. Edhe godinat e Universitetit të Mjekësisë pësuan dëme prej lëkundjeve të tërmetit të 26 nëntorit, ndaj rektori i këtij universiteti, Arben Gjata mori vendimin që mësimi të nisë me 6 janar.

Ndërkohë që mësimi për studentët e Universitetit të Tiranës ka nisur me datë 10 dhjetor, duke iu kthyer normalitetit, me vendim të Rektorit Mynyr Koni, i cili u ka kërkuar fakulteteve të propozojnë mënyra për zëvendësimin e orëve të humbura.