Inxhinieria në 'Pa Protokoll': Dy zonat ku s'duhet të ndërtohet në Durrës! Pallatet në breg i 'ha' deti

29 Nëntor 2019, 21:39 | Përditesimi i fundit: 2019-11-30 12:22:42

TIRANE-Inxhinieria e ndërtimit Luljeta Bozo e ftuar në studion e emisionit 'Pa Protokoll' në Report Tv u shpreh se në zonat ku u shembën godinat nga tërmeti në Durrës, Kënetë dhe Plazh nuk është e lejuar që të ndërtohet, por asgjë nuk është marrë në konsideratë.

"Para 1990 kishim rregulla shumë strikte në ndërtim, tani janë të kolapsura. Në atë tokë, Këneta nuk duhet ndërtuar për dy arsye, se është nën nivelin e detit dhe ka dhera problematikë. Është evidentuar nga sizmologët si terren i papërshtatshëm. Ajo dhe plazhi i Durrësit, janë evidentuar që pas 1981. Pas 1990 të gjithë u bënë inxhinierë.

e pallati në breg të detit, është futur tre kate nën tokë, por nuk e di nëse themelet i ka llogaritur për të gjitha katet që ka ngritur. Ai shpëtoi tani nga tërmeti, por ai rrezikun më të madh e ka nga deti, do ta hanë rrymat detare" tha ajo.  

Ajo tha se këto fenomene, në këtë nivel goditje nga tërmeti përsëriten një herë në 30-40 vite. Ndërkohë që sizmologu Edmond Dushi tha se numri i pasgoditjeve deri tani nga tërmeti kryesor ka arritur mbi një mijë. "Ka kaluar një mijë pasgoditje, por shumica prej tyre nuk kanë impakt" tha ai. 

Psikologia Aurela Agalliu e cilësoi panikun që shkaktoi tërmeti si traumë kolektive. "Njerëzit të punojnë më shumë me komunikim në grup, pasi është traumë kolektive. Duhet të ngrihen ekipe të caktuara për të bërë të mundur daljen nga përjetimi i situatës. Ndarja e ngjarjeve lehtëson njerëzit. Ka pasur shumë njerëz që kanë ardhur për konsulencë".

d.ba./Shqiptarja.com

    No videos found.