Dhjetë vjet pas kryengritjes së vitit 2009, Republika Islamike po përballet me një rebelim të ri i cili po mbytet në gjakpor dhe po vë në diskutim funksionimin e shtetit.
Sipas ‘Amnesty International’, të paktën 106 njerëz janë vrarë në 21 qytete të Iranit në përleshjet e ditëve të fundit.
Burime të tjera thonë se numri i atyre që kanë humbur jetën është rreth 200 por për momentin është e vështirë të verifikohen pas bllokadës së internetit të vendosur nga dita e shtunë.
Organizata për të drejtat e njeriut e bazon vlerësimet e saj në "video të verifikuara, dëshmitë e mbledhura në terren dhe informacione" nga aktivistë që banojnë jashtë Iranit.
Sipas ‘Amnesty International’, shumica e viktimave kanë qënë pre e snajperëve që kanë qëlluar nga çatitë e ndërtesave dhe helikopterët.
Rupert Colville, Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njëriut në Kombet e Bashkuara tha se ‘Njësitë iraniane të sigurisë kanë tërhequr trupat e pa jetë dhe kanë arrestuar të plagosurit nga rrugët dhe spitalet, pa u dhënë asnjë informacion të afërmve të viktimave’.
Gazeta konservatore Kayhan, shumë pranë Liderit Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka kërcënuar se 'do të varen gjithë drejtuesit e rebelimit', të cilët dolën në rrugë për të protestuar kundër rritjes së çmimit të karburanteve.