Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka ironizuar opozitën në Kuvend pasi një prej deputetëve të saj, qëlloi me vezë kryeministrin Edi Rama. Gjatë debatit për Arsimin e Lartë të kërkuar nga PD dhe LSI, Xhaçka u shpreh se "opozita ka lëshuar luanët që të luftojë me sende koteci". Xhaçka tha se Ligjii për Arsimin e Lartë nuk është perfekt, por nuk mund të mohohet se ishte një përpjekje serioze për ta kthyer universitetin nga një prodhuese diplomash në një prodhuese e dijes.
“Ligji i Arsimit të Lartë nuk është perfekt. Nuk është zbatuar plotësisht, por askush s’mund të mohojë se ishte përpjekja më serioze për të vlerësuar rrugën e dijes e për tu ndarë nga diplomat që nuk i jepnin dritë mendjes, e nuk punësonin meritën. Reforma në Arsim dhe ligji që prodhoi kjo reformë, ishte produkt i një komisioni, nga më prestigjiozët për Arsimin e Lartë", u shpreh Xhaçka.
Ministrja e Mbrojtjes në fjalën e saj tha se studentët janë frymëzim për shqiptarët dhe vetë qeverinë, teksa thumboi dhe opozitën, duke akuzuar se 10 programe studimi në vitin 2005 u hapën 1442 programe studimi në vitin 2013. Ajo theksoi se maxhoranca është e gatshme të dialogojë me studentët për të gjitha kërkesat e tyre. "Ne jemi të gatshëm të flasim, të dialogojmë e të zgjidhim bashkërisht, ndërsa opozita ka lëshuar luanët që të luftojë me sende koteci”, deklaroi më tej Xhaçka në fjalën e saj.