Ish-ambasadori Luan Rama për sopranon shqiptare: Jaho, një martire e kohëve moderne

1 Shkurt 2019, 16:40

Shkrimtari, publicisti dhe ish- ambasadori i Shqipërisë në Francë, Luan Rama, është ndaluar këtë herë tek interpretimi mbresëlënës i sopranos shqiptare Ermonela Jaho në skenën e operës mbretërore në Londër, ku ka luajtur rolin e Violetës tek opera “Traviata” e kompozitorit italian Xhuzepe Verdit. Ai teksa përshkruan rolin e Violetës prej saj, në skenën e “Covent Garden” në Londër, këtë fund janari, thotë se kjo bëhet edhe më reale, kur Jaho këndon klithmën e fundit të personazhit. Klithëm që sipas Ramës  ngjason me atë të në një bote pranë engjëjve.

Rama e krahason sopranon me një martire të kohëve moderne, e cila sa herë ngjitet në skenë, ngjitet sikur të ishte hera e fundit. “Ermonela Jaho është një martire e kohëve moderne. Një martire e artit sublim. Një martire që i ka ngjitur ato shkallë arti si të këndojë për herë të fundit. Po, është kjo ndjesi me të cilën ajo ngjitet gjithnjë në skenë”, shkruan ish-ambasadori Luan Rama.