Ish-Këneta kantier ndërtimi, 20 shtëpi të reja gati në dhjetor!

26 Nëntor 2020, 14:54

DURRËS- Zona e ish-Kënetës në Durrës, ku u shuan 8 anëtarë të familjes Lala më 26 nëntor 2019, do të mbetet gjatë në memorien e shqiptarëve.

Përpos vilës 4 katëshe të familjes Lala, në këtë zonë u dëmtuan rreth 500 banesa të tjera, por fatmirësisht pa viktima. Sot lagjia nr. 6 e Durrësit ose ndryshe ish-Këneta është një kantier ndërtimi. Po punohet me ritme të shpejta për rindërtimin e banesave private.  Në proces ndërtimi janë mbi 45 banesa, ku 20 prej tyre do të jenë gati deri për vit të ri.

“Pas të gjithë asaj të keqe që na ndodhi të gjithëve, sot jemi para faktit që shtëpitë e reja për të gjithë banorët që humbën banesat e tyre po ndërtohen dhe vetëm në njësinë nr 6. janë 45 banesa në të cilat ka vazhduar projekti i rindërtimit. 20 nga këto banesa do të jenë gati deri për Vit të Ri. Zona e ish-Kënetës në Durrës”, tha kryetari i njësisë administrative nr 6 Serian Mazrekaj.

Ai thotë se paralel po punohet për riparimin e banesave të dëmtuara më lehtë, punë që po ecën me ritme të shpejta.

 “Janë rreth 500 familje të cilat janë prekur nga kategori të ndryshme DS1,DS2,  DS3, DS4 dhe DS5. 80 % e tyre e kanë marrë bonusin dhe kanë bërë riparimet e banesave. Ndërkohë, së fundmi pjeën më të madhe të tyre i kemi hequr nga skema e bonusit, pasi i kanë bërë riparimet dhe janë strehuar po në shtëpitë e tyre”, shtoi ai.

 Ndërsa Florian Hadroi, drejtuesi i kompanisë së ndërtimit thotë se objektet e reja mund të përballojnë një tërmet më të forte se ai i 26 nëntorit të vitit 2019.