Ish-kreu i Devollit me demokratët jashtë: PS-ja e pushtoi dhe e ktheu si 313-ta bashkinë, morën dokumentet

29 Korrik 2019, 08:24

Ish-kryetari i bashkisë së Devollit i zgjedhur nga PD-ja Bledjon Nallbati në orën 08:00 shkoi për të hyrë në institucionin që drejtoi për 4 vite, por zyra ishte zënë, ndërsa policia ishte vendosur para hyrjes për të mos e lejuar. Ai akuzoi se bashkia është kthyer si burgu 313, e rrethuar nga policia. Nallbati hodhi akuza se Eduard Duro, por edhe ata që kanë hyrë në bashki prej ditës së premte mund të kenë marrë apo grisur dokumente, prandaj shtoi se nuk mban përgjegjësi. Duro tha se bashkia është uzurpuar dhe pushtuar nga partia Socialiste.

"Ky është realitet i hidhur i shtetit shqiptar. Sikundër e shikoni bashkia është kthyer në burgun 313, i zaptuar nga vetë shteti shqiptar, keni parë edhe pamje më të rëndë, institucioni është uzurpuar dhe marrë në mënyrën më të keqe të mundshme, si hajdutë si kriminelë, jashtë orarit zyrtar të punës. Unë jam kryetar i ligjshëm i zgjedhur me votat e 59% të qytetarëve të Devollit ku kanë shprehur vullnetin. Por partia shteti vendosi ta marrë dhunë, e rrethoi me polici.

Nuk e di si mund të funksionojë dhe grabitet nga vetë shteti. Ky është shteti dhe si drejtohet dhe qeveriset ky shtet. Sot është një ditë normale pune për ne, pasi nuk ka pasur një proces normal zgjedhjesh. Unë do të vijoj punën time me qytetarët, këta ta vijojnë me polici dhe me zyra të uzurpuara. Beteja jonë është për ligjshmëri. Unë do të jem me qytetarët, ndërkohë ky institucion mund të rrijë kështu, unë do të vij prapë nesër këtu me këta.

A do të hyni brenda? Më kujtoni mua uzurpator, jo ata janë këtu, unë jam kryetari i zgjedhur me dhunë. Para dy ditësh këtu kërciti vareja, u shkallmua dera. Institucioni ka brenda dokumente dhe shkresa dhe unë nuk mbaj përgjegjësi cfarë ka ndodhur. Hynë me dhunë, ju nuk u lejuan. Kanë marrë dokumentet, kanë grisur dokumente, kanë hequr apo shtuar, këtë nuk e di unë se cfarë kanë bërë. Këtë e di vetëm partia shtet, ky nuk mund të jetë vend normal. Nëse flasim për pushtim, Shqipëria është pushtuar nga turqit...".