Ish-kryeministri italian bën thirrje për një strategji të re kombëtare: Turqia po zëvendëson Italinë në Shqipëri

15 Gusht 2020, 20:30

Ish-kryeministri i Italian, njëkohësisht edhe ish-Presidenti i Komisionit Evropian Romano Prodi, gjatë ditës së sotme ka publikuar një editorial të veçantë për marrëdhëniet italo-shqiptare, duke marrë shkas edhe nga zhvillimet e fundit në Mesdhe. Prodi i bën thirrje qeverisë italiane t'i kushtojë më shumë rëndësi marrëdhënieve me Shqipërinë dhe bën thirrje për krijimin e një strategjie të re kombëtare, duke krijuar paralelizma edhe me situatën në vitin 1997.  

Shqetësim për ish-kryeministri italian përbën rritja e ndikimit turk, i cili sipas Prodit ka zëvendësuar ndikimin e dikurshëm italian. Sipas Prodit, ndikim në këtë situatë ka pasur marrëdhënia e ngushtë e kryeministrit Rama me presidentin turk Erdogan.

“Edhe pse jo akoma me të njëjtin intensitet si në vendet e tjera të Ballkanit, prania turke po rritet në të gjitha fushat, nga veprat publike në kulturë, nga sektori ushtarak në një depërtim gjithnjë e më të thellë në fushën fetare, përmes mbështetjes për një rrjet kapilar të xhamive”, shkruan Prodi.

Sa i përket situatës së krijuar në Mesdheun Lindor,  ai theksoi Italia nuk mund të rrisë ndikimin e saj në Mesdhe nëse aktivizon  një politikë  të mirëfilltë mesdhetare.