Ish-kryeministri kroat, Ivo Sanader dënohet me gjashtë vjet burgim për korrupsion, 10 milionë euro rryshfet

30 Dhjetor 2019, 19:10

Ish kryeministri kroat Ivo Sanader, i cili drejtoi qeverinë konservatore nga 2004 deri në 2009, u dënua me gjashtë vjet burg për korrupsion sot në Zagreb në gjykatën e shkallë së parë.

Rasti ka të bëjë me shitjen e një pjese të kompanisë kroate të naftës Ina gjigandit hungarez të energjisë Mol, e cila  mori nën kontroll 50 për qind të pronësisë së kompanisë kroate të gazit INA.

Së bashku me ish-kryeministrin, president i 'Mol', Zsolt Hernadi, u dënuad me dy vjet burgim në mungesë. Zsolt Hernadi gjithmonë ka refuzuar të paraqitet në gjyq duke e konsideruar atë një gjyq politik.

Sipas gjykatës, në vitin 2008 Hernadi i pagoi Ivo Sanaderit një ryshfet 10 milion euro për shitjen e kompanisë kroate të naftës Ina gjigandit hungarez të energjisë 'Mol'.

Sanader tashmë është dënuar në dy raste të tjera korrupsioni, njëra prej të cilave është konfirmuar edhe në Gjykatën e Kasacionit, ndërsa një gjykim i tretë është ende në vazhdim.

Sanader u largua nga Kroacia më 2010. Ai u arrestua në Austri dhe u ekstradua në Kroaci një vit më vonë. 

Sanader gjithashtu u dënua me 2 vjet e gjysmë burgim në vitin 2018-të për përfitime nga lufta dhe u urdhërua të shlyente rreth 570,000 dollarë rryshfete që kishte marrë nga Hypo Bank. Ai aktualisht është në burg duke e vuajtur atë dënim

Saga gjyqësore kundër Sanader daton që nga viti 2010, disa muaj pas dorëheqjes së tij të papritur nga posti i kryeministrit, në kulmin e pushtetit, për arsye që nuk u shpjeguan kurrë plotësisht.