Ish-minatorët kërkojnë më shumë: S'u miratua statusi, do të përshkallëzojmë protestat

1 Qershor 2019, 16:42

Miratimi i projektligjin për profesionet e vështira nuk i ka kënaqur ish minatorët, të cilët janë shprehur se nuk do heqin dorë nga kërkesa për miratimin e statusit. Në një dalje për mediat minatorët shprehen se do rinisin protestat pasi premtimi i qeverisë për miratimin e statusit të minatorit nuk u plotësua.

Sipas ish minatorëve projektligji i miratuar për profesionet e vështira nuk përputhet me kërkesat që u ishin premtuar.  Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, u shpreh se ky projektligj u miratua me nxitim ku mazhoranca përfitoi dhe nga kriza politike.

“Nuk ka për të kërkuar askush atë që nuk i takon. Por do jetë fatkeqësi që atë që na takon të na e mohojnë padrejtësisht qeveritë e radhës, kushdo qofshin ato. Njëkohësisht, donim të kishim me vete dhe opozitën. Opozita e cila lufton për pushtet për ta marrë pa votim, duhet të luftojë së pari për pushtet ekonomik për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.

Duhet të luftojë për minatorët, mësuesit, mjekët, dhe gjithë shqiptarët që tu rritet standardi ekonomik”. Minatorët kërkuan mbështetje nga e gjithë shoqëria dhe klasa politike në betejën e tyre për status.