Ish-ministri Tahiri te Gjykata e Krimeve të Rënda, apelon masën e sigurisë 'arrest shtëpie'

28 Maj 2018, 13:32 | Përditesimi: 28 Maj 2018, 13:32

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka mbërritur në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, shoqëruar nga një makinë policie. Ish-ministri Tahiri kërkon heqjen e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’, të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë. Kërkesa për heqjen e kësaj mase është dorëzuar një javë më parë nga avokati mbrojtës i ish-ministrit, Maks Haxhia.

Avokati Haxhia mbërriti para ish-ministrit në gjykatë, ku komentoi për media deklaratën e ambasadorit Donald Lu, bërë një ditë më parë, kur tha se gjyqtarët marrin ryshfet.

Mesazhi i Lu ishte shumë i rëndësishëm dhe dimensional. Atë mesazh e ndava në dy pjesë, pjesa e parë lidhet me kalkulimin e opinioneve, të dyja palët kundërshtare hapin fjalë për presione dhe para. Mesazhi i Lu ishte sh i rëndësishëm që gjykata të gjykojë në prova dhe ligj, dhe nëse ndodh kështu Tahiri sot duhet t’i hiqet masa.

Avokati Maks Haxhia


Ndërkohë, Apeli i Krimeve të Rënda do të vendosë sot për ish-ministrin, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në trafikun e drogës me Habilajt. Tre gjyqtarët e Apelit për Krime të Rënda që do të vendosin masën e sigurisë së Saimir Tahirit janë kryesuesja Saida Dollani dhe anëtarët, Sokol Binaj e Fehmi Petku.

Prokuroria ka dyshime se ish-ministri i Brendshëm ka takuar në një hotel në Korfuz Artan Habilajn, vëllain e Moisi Habilajt, i arrestuar në Itali në tetor të vitit 2017, si kreu i grupit kriminal të trafikut të drogës.

b.ha./Shqiptarja.com