Ishte infektuar me COVID, vdes ish-oficer i Marinës Durrës, gazetari Korriku: E kisha shok ushtrie

22 Prill 2020, 11:29

TIRANË- Një 71-vjeçar i prekur me COVID-19 ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme te spitali "Shefqet Ndroqi" në Tiranë. Ai është viktima e 3 nga Durrësi dhe e 27 në total nga COVID-i në Shqipëri. Viktima është Çapajev File, ish-oficer i Marinës.

Prej dy javësh ai ishte i shtruar në spital te Sanatoriumi, ndërsa ditët e fundit ishte i intubuar, ku nuk arriti që të dilte duke humbur jetën. File ka mbajtur disa detyra mjaft të rëndësishme në karrierën e gjatë ushtarake. Gazetari i Report Tv në Durrës, Artur Korriku tregoi se Filen e njihte dhe se e kishte pasur mik, ndërsa vuante nga tensioni."E kam pasur mik, ka qenë ushtarak i vjetër. Ka qenë oficer ekspert, pensionist prej vitit 2011, dikur ka qenë komandant, shef kapitenerie, doktor shkencash, etj. Ka ndërruar jetë mbrëmë vonë. Ka qenë i shtruar në Sanatorium, në terapi itensive dhe i intubuar dhe nuk ka munduar ta përballojë. Është viktima e tretë në Durrës. Nuk dihet si është infektuar" tha gazetari i Report Tv.