ELBASAN-Arrestohet nga policia për armëmbajtje pa leje Kelmend Xhaferri 36-vjeç. Ai u prangos gjatë një kontrolli mbrëmjen e djeshme në lagjen '5 Maji' në qytetin e Elbasanit në kuadër të operacionit për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri. Personi i arrestuar është edhe me arrest shtëpie nga Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, ndërsa në makinë iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë me 15 fishekë. Ai hodhi armën dhe tentoi që të largohet, por u prangos.
Në lagjen "5 Maji" në rrugën "Lef Nosi", Elbasan, shtetasi Kelmend Xhaferri, 36 vjeç, banues në lagjen “5 Maji” Elbasan, i cili drejtonte një automjet tip “Porsh” me targa AA 040 UD, në momentin që është ndaluar nga shërbimet e policisë ka hedhur armën e zjarrit në tokë dhe ka tentuar të largohet por s'ka mundur dot pasi është arrestuar në flagrancë nga Policia. Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip Bereta, me një krehër të vendosur në trup me 15 copë fishekë, si dhe automjetin tip “Porsh”.
Policia e Elbasanit
Xhaferri është një person me precedent penal, pasi u ndalua edhe në shtator të 2017 pas incidentit ku u përplas makina e zv/ drejtorit të policisë te Tregu Agro Ushqimor në lagjen "Dyli Haxhire". Ndaj tij Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë me vendim Nr. 393 datë 22.09.2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për veprën penale “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve sportive”.