Iskra Thoma: Si u shkatërrua gjiganti shtetëror i botimeve 'Naim Frashëri'

31 Tetor 2019, 18:06

Iskra Thomai, në vitet ‘85-‘90, u shfaq si një zë i fortë i kritikës letrare; në kohën kur tehun e këtij zhanri kompleks e të një letërsie së doktrinuar e mprihnin kryesisht burrat.

Zëri i ri i kritikës letrare, në ato vite, nisi të përkonte me ndryshimin. Ishte një kohë, kur letrarët e rinj gradualisht po distancoheshin nga klishetë dogmatike. Lulëzuan talentet e reja.

Ndërsa fenomeni i hapjes së letërsisë po ndodhte 10 vjet më parë se të binte diktatura në Shqipëri, përmbysjet e mëdha e të rrëmujshme në vitet ‘90, për fat të keq dëmtuan edhe themelet e një tradite të mirë të krijuar në letërsi dhe në arte.

Kur strukturat e ngritura të hierarkive dhe institucioneve të letërsisë dhe artit shqiptar, pas viteve ‘90 nisën të rrëzoheshin; duke nisur që nga mbyllja e portave të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, tek degradimi i Kinostudios “Shqipëria e re” dhe deri tek gjiganti i botimeve të letërsisë shqipe dhe asaj botërore “Naim Frashëri”, Iskra Thomait i duhej të gjente rrugë të reja, për të shprehur talentin dhe dhuntitë e saj.

Iskra Thomai, e emëruar në vitin 1987 si zëvendësdrejtore e Shtëpinë Botuese Shtetërore “Naim Frashëri” emigron si shumë shqiptarë pas viteve ’90 drejt shtetit fqinj, Italisë.

Këto ditë studiuesja dhe kritikja e njohur është kthyer në atdhe, ku promovoi librin "Jetë buzë detit" me novela, tregime dhe publicistikë në Akademinë e Shkencave.

Në një intervistë ekskluzivisht për Report  Tv. Iskra Thomai rrëfen për eksperiencën e saj si kritike e redaktore për shumë vite të sa e sa shkrimtarëve shqiptarë, për jetën në Modena të Italisë ku vijon krijimtarinë si autore, përkthyese, kritike e publiciste.